
Qarkullimi në aksin Maliq–Moglicë vijon të jetë i bllokuar për shkak të një trajleri të ngecur në zonën e Lozhanit, duke krijuar radhë të gjata automjetesh.
Burime nga terreni bëjnë me dije se, për shkak të fluksit dhe bllokimit në Lozhan, Policia e Shtetit ka ndaluar hyrjen e mjeteve që në hyrje të Maliqit, për të shmangur rëndimin e mëtejshëm të situatës.

Në vendngjarje kalohet vetëm me një korsi, çka ka sjellë vështirësi serioze në qarkullim. Drejtuesit e mjeteve kanë fikur makinat dhe po presin zhbllokimin e rrugës, ndërsa raportohet për qindra automjete të mbetura në radhë kilometrike.
Mes udhëtarëve ka familjarë dhe fëmijë që po i drejtohen Tiranës, ndërsa pritet ndërhyrja për largimin e trajlerit dhe normalizimin e lëvizjes.






