
Sydney – Një burrë 39-vjeçar u arrestua pasi përplasi makinën e tij në portat e konsullatës ruse në lagjen Woollahra të Sydney-t, mëngjesin e së hënës. Policia e Uellsit të Ri Jugor njoftoi se oficeri i sigurisë pësoi lëndime të lehta, ndërsa automjeti i dëmtuar u tërhoq nga vendi me vinç.
Sipas mediave australiane, i dyshuari, i identifikuar si Rimi Abraham, akuzohet për dhjetë vepra penale, përfshirë dëmtim prone, rezistencë ndaj policisë dhe mbajtje të armës së ftohtë. Atij iu refuzua lirimi me kusht.
Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë policinë që siguroi zonën dhe makinën me xhama të thyer brenda oborrit të konsullatës. Konsullata u mbyll përkohësisht, por rifilloi funksionet pas disa orësh.
Policia tha se nuk ka rrezik për sigurinë e misionit diplomatik apo komunitetit përreth, ndërsa hetimet për motivet e incidentit vazhdojnë.