
Presidenti i Venezuelës, Nicolás Maduro, dhe bashkëshortja e tij, Cilia Flores, ndodhen në paraburgim në Qendrën Metropolitane të Paraburgimit në Brooklyn, Nju Jork, pas kapjes së tyre gjatë sulmeve ajrore të SHBA-së në Venezuelë. Lajmi konfirmohet nga BBC në një raportim “Live”.
Sipas autoriteteve amerikane, çifti u transportua nga Karakasi drejt SHBA-së për t’u përballur me akuza që lidhen me trafik droge dhe armësh. Maduro i ka mohuar më herët akuzat se drejton një kartel droge.
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se SHBA do ta “drejtojë” Venezuelën “derisa të realizohet një tranzicion i sigurt, i rregullt dhe i matur”, duke shtuar se kompani të mëdha amerikane të naftës do të angazhohen për riparimin e infrastrukturës energjetike të vendit dhe për rivënien në funksion të sektorit të naftës.
Në reagim, Karakasi ka shpallur gjendje emergjence kombëtare dhe ka dënuar atë që e cilëson si “agresion ushtarak”. Zyrtarë venezuelianë raportojnë për shpërthime në disa zona, ndërsa ka shqetësime për viktima civile – pretendime që nuk janë verifikuar ende në mënyrë të pavarur.
Ndërkohë, zëvendëspresidentja Delcy Rodríguez është betuar si presidente e përkohshme nga Gjykata e Lartë, duke këmbëngulur se Maduro mbetet “i vetmi president legjitim” i Venezuelës.
Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio deklaroi se veprimet e SHBA-së mbështeten në “urdhra gjykate” dhe synojnë t’i japin fund rolit të Venezuelës si nyje e trafikut të drogës, ndërsa ekspertë të së drejtës ndërkombëtare kanë ngritur pikëpyetje mbi ligjshmërinë e operacionit dhe pretendimin e Uashingtonit për të “drejtuar” vendin.
Në terren, qytetarë në Karakas i thanë BBC-së se dëshira kryesore është “të jetojnë pa frikë”, mes një klime pasigurie për atë që do të ndodhë në ditët dhe muajt në vijim.




