
Madonna, i është drejtuar me një thirrje të hapur Papës Leo, duke i kërkuar që të vizitojë Gazën në një mision humanitar për të ndihmuar fëmijët palestinezë që po vuajnë nga uria. Në një postim në Instagram, ylli i muzikës, e rritur si katolike romake, shkroi: “Atë i Shenjtë, ju lutem shkoni në Gaza dhe sillni dritën tuaj për fëmijët para se të jetë tepër vonë. Si nënë, nuk mund të duroj dhimbjen e tyre. Fëmijët i përkasin të gjithë botës. Ju jeni i vetmi që nuk mund t’ju ndalohet hyrja.”
Madonna theksoi se arsyeja e këtij apeli është bindja se ndryshimi nuk mund të vijë nga politika, por nga ndërgjegjja. Ajo e publikoi mesazhin në ditëlindjen e të birit, Rocco, duke e quajtur këtë kërkesë dhuratën më të mirë që mund t’i jepte: mobilizimin e njerëzve për të shpëtuar jetët e fëmijëve të pafajshëm.
Që prej zgjedhjes si Papë në maj, Ati i Shenjtë ka shprehur vazhdimisht shqetësimin e tij për gjendjen e civilëve palestinezë dhe ka kritikuar luftën në Gaza, duke kërkuar armëpushim. Sipas UNICEF, mbi 18 mijë fëmijë janë vrarë që nga tetori 2023, ndërsa bllokada izraelite ndaj ndihmës ka sjellë, sipas OBSH-së, një “uri masive të shkaktuar nga njeriu”.
Drejtori i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, e falënderoi Madonnën për mesazhin e saj, duke vlerësuar “dhembshurinë dhe angazhimin” në mbështetje të fëmijëve të prekur nga konflikti. Të paktën 222 persona, përfshirë 101 fëmijë, kanë humbur jetën nga kequshqyerja që nga nisja e luftës, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Palestinës.
Nuk dihet nëse autoritetet izraelite do t’i lejojnë Papës hyrjen në Gaza, por apeli i Madonnës i shtohet reagimeve ndërkombëtare që dënojnë konfliktin 22-mujor. Disa vende, si Australia, Kanadaja dhe Franca, tashmë kanë shprehur mbështetjen për njohjen e një shteti palestinez, ndërsa Mbretëria e Bashkuar ka kushtëzuar njohjen me arritjen e një armëpushimi.
Komentet e Madonnës vijnë në një kohë kur gjithnjë e më shumë artistë ndërkombëtarë, përfshirë Massive Attack, Brian Eno dhe U2, po flasin hapur për krizën humanitare në Gaza. Vetë ajo, gjatë një koncerti në fund të vitit 2023, e cilësoi luftën “zemërthyese” dhe dënoi si sulmet e Hamasit ndaj Izraelit, ashtu edhe përgjigjen ushtarake izraelite.