
Presidenti francez Emmanuel Macron ka paralajmëruar se Europa po përballet me kërcënime të paprecedenta, duke njoftuar një rritje të konsiderueshme të buxhetit ushtarak francez me 6.5 miliardë euro gjatë dy viteve të ardhshme.
Në një fjalim drejtuar Forcave të Armatosura, në prag të Ditës së Bastijës (14 korrik), Macron theksoi se rreziku nga Rusia, terrorizmi, sulmet kibernetike dhe fushatat e dezinformimit po rritet ndjeshëm. Ai shtoi se edhe aleati tradicional, SHBA, është kthyer në një burim pasigurie, duke i bërë thirrje Europës të marrë më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e saj.
“Që të jemi të lirë në këtë botë, duhet të na kenë frikë. Dhe që të na kenë frikë, duhet të jemi të fortë,” deklaroi presidenti francez.
Objektivi: 64 miliardë euro buxhet vjetor deri në vitin 2027
Sipas Macron, synimi është që shpenzimet ushtarake të arrijnë në 64 miliardë euro në vit deri në fund të mandatit të tij në vitin 2027 — më shumë se dyfishi i nivelit të vitit 2017, kur ai mori detyrën presidenciale. Pavarësisht presionit mbi borxhin publik, kreu i shtetit u shpreh se ushtria do të marrë mbështetjen e nevojshme.
Ky plan është përshëndetur nga forcat politike konservatore dhe të djathta, ndërsa e majta e ka kritikuar si një vendim që sakrifikon mirëqenien sociale për qëllime ushtarake.
Rol i ri për arsenalin bërthamor francez?
Një tjetër element i rëndësishëm i fjalimit ishte thirrja për një debat europian mbi rolin që armët bërthamore franceze mund të luajnë në mbrojtjen e kontinentit, në një kontekst sigurie gjithnjë e më të brishtë.
Macron përmendi edhe rreziqet që vijnë nga dezinformimi në internet, duke theksuar se fëmijët janë gjithnjë e më shumë në shënjestër të fushatave manipuluese përmes teknologjisë dhe rrjeteve sociale.
Rritje rekord e shpenzimeve ushtarake në kontinent
Të dhënat e Institutit Ndërkombëtar për Paqe në Stokholm (SIPRI) tregojnë se Europa regjistroi vitin e kaluar rritjen më të shpejtë të shpenzimeve për mbrojtjen që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Totali arriti në 693 miliardë dollarë, një rritje prej 17% krahasuar me vitin pararendës.