Tenderi 2 miliardë lekësh për lumin e Borshit mbahet peng prej një viti, me skema të organizuara dhe favorizime për oligarkun Hamz Islamaj

Tenderi për rehabilitimin e lumit të Borshit ka hyrë në vitin e dytë të bllokimit të qëllimshëm, ndërsa pas prapaskenave fshihen emra të njohur të politikës dhe biznesit klientelist. Me një fond prej mbi 2 miliardë lekësh, kjo procedurë është kthyer në simbol të kapjes së shtetit dhe favorizimit të oligarkëve me lidhje të thella në qeveri.

Ministrja Anila Denaj (Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural) është distancuar me kujdes nga firmosja direkte e dokumenteve, duke shmangur çdo përgjegjësi penale, ndërsa drejtuesi i Komisionit të Prokurimit Publik (KPP), Jonaid Myzyri, ka marrë rolin e ekzekutuesit të vendimeve që i shërbejnë interesave të biznesmenit Hamz Islamaj. Ky i fundit është përfshirë në dhjetëra tendera të dyshimtë në një dekadë.

Projekti për rehabilitimin e argjinaturës së lumit është miratuar që në vitin 2024, por zbatimi i tij u shty qëllimisht deri në nisjen e fushatës zgjedhore për të shmangur vëmendjen publike. Kontrasti është tronditës: për lumin Buna, i cili përmbyt rregullisht Shkodrën, është ndarë vetëm një e katërta e këtij fondi.

Procedura zyrtare u shpall më 21 mars 2025 nga Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit në Fier, nën varësinë e ministres Denaj. Tenderi u zhvillua më 7 prill 2025, me një fond prej 206 milionë lekësh pa TVSH. Megjithatë, që në fillim, u krijuan kushtet për manipulim. Dy kompani kërkuan ndryshime në kriteret e tenderit, ndërkohë që një prej tyre, “Cogren” shpk, ishte zyrtarisht e përjashtuar nga kontratat publike për mashtrim në një tender të mëparshëm në Sarandë.

Pavarësisht kësaj, “Cogren” shpk u lejua të merrte pjesë për të dhënë përshtypjen e një gare të hapur. Kërkesa e saj për ndryshim kriteresh u injorua, pasi nuk kishte paguar tarifën e ankesës. Ndërkohë, kompania “BE-IS” e Hamz Islamajt, jo vetëm që u përfshi në tender, por edhe u përkrah nga KPP me katër vendime të njëpasnjëshme në favor të saj, të cilat ndryshuan kriteret dhe pezulluan apo anuluan procedurat sipas nevojës.

Vendimi final i KPP, më 20 qershor 2025, vulosi fitoren e Islamajt në këtë tender të manipuluar, duke treguar qartë se gara ishte vetëm në letër. Për të dhënë pamjen e një procesi të rregullt, u përdorën firma të diskredituara dhe ankesa fiktive, ndërsa përfituesi përfundimtar ishte i paracaktuar.

Hamz Islamaj, një emër i njohur në botën e tenderave publikë, ka përfituar mbi 160 milionë euro gjatë një dekade. Ai është i lidhur ngushtë me familjen Nufi – njëri vëlla në ministri, tjetri në biznes me Islamajn. Skema është e thjeshtë: njëri firmos, tjetri përfiton.

Ndërkohë, Anila Denaj, e njohur edhe për firmën e saj në koncesionin e sterilizimit, dhe Jonaid Myzyri, tashmë nën hetim nga SPAK për korrupsion, shfaqen si aktorë kyç në këtë histori. Denaj ka zgjedhur të qëndrojë në prapaskenë, ndërsa Myzyri përballet me drejtësinë.

Tenderi për lumin Borsh është më shumë se një procedurë publike. Ai pasqyron thellësinë e rrënimit institucional dhe mënyrën se si politika bashkëjeton me biznesin e madh në dëm të interesit publik. Shkeljet e hapura, favorizimi i të njëjtëve emra dhe heshtja e institucioneve të tjera janë dëshmi se ky shtet vazhdon të punojë për një pakicë të fuqishme.

Nëse SPAK-u nuk ndërhyn seriozisht për të çmontuar këtë skemë, ky rast do të shërbejë vetëm si një tjetër faqe e errët në dosjen e gjatë të abuzimeve me fondet publike./JOQ

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu