
Vau i Dejës, 28 prill 2025 – Policia e Shtetit ka ndërmarrë një operacion masiv në kuadër të planit operacional të koduar “Koordinata”, me qëllim parandalimin dhe goditjen e tentativave për kultivim të bimëve narkotike në të gjithë territorin e vendit.
Në këtë kuadër, Komisariati i Policisë Vau i Dejës, në bashkëpunim me Drejtoritë Vendore të Policisë, Forcat Kombëtare të Sigurisë dhe Policinë Kufitare, ka evidentuar dhe goditur dy raste të tentativës për kultivim të bimëve narkotike në fshatin Vig.
View this post on Instagram
Gjatë kontrolleve intensive, me përdorimin e dronëve dhe bazuar në inteligjencën policore, janë zbuluar në dy zona të shpyllëzuara të fshatit, 2200 bimë të dyshuara cannabis sativa të kultivuara në tokë dhe 578 fidanë cannabis të kultivuara në kubikë. Një pjesë e këtyre bimëve dhe fidanëve u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërsa pjesa tjetër u asgjësua në vendngjarje përmes djegies.
Policia vijon punën për identifikimin dhe ndjekjen penale të autorëve të përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme. Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Operacioni “Koordinata” është pjesë e një plani të gjerë që synon të ndërpresë në fazë të hershme çdo tentativë për kultivim narkotikësh në Shqipëri.