Finalizohet operacioni policor i koduar “Botulinum toxin”, me objektiv konstatimin dhe goditjen e rasteve të kontrabandimit dhe tregtimit të kundërligjshëm të produktit mjekësor “Botulinum toxin”, i njohur si “Botox”, nga klinikat estetike.
Kontrollet e autorizuara nga Gjykata e Tiranës, gjetën në paligjshmëri 30 klinika estetike.
Vihet në pranga administratori i subjektit që kontrabandonte dhe magazinonte produktin e kundërligjshëm, si dhe furnizonte me të, klinikat. Në pranga dhe administratoret e 2 klinikave.
Procedohen penalisht administratoret e 5 klinikave, si dhe punohet për kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të 3 administratorëve.
Sekuestrohen medikamente Botox-i.
View this post on Instagram
Si rezultat i veprimeve policore dhe hetimore, të kryera në kuadër të një procedimi penal, të iniciuar për veprat “Kontrabanda me mallra të licencuara”, kryer në bashkëpunim, “Kontrabanda nga punonjësit që lidhen me veprimtarinë doganore”, kryer në bashkëpunim dhe “Fshehja e të ardhurave”, dhe të drejtuar nga Prokuroria e Tiranës, Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DPPSh, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar, Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale dhe me Drejtorinë e Hetimit Doganor në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, finalizoi operacionin policor të koduar “Botulinum toxin”.
Në zbatim të vendimit të Gjykatës së Tiranës, dhënë në kuadër të këtij operacioni, u kryen kontrolle në 30 subjekte private (klinika estetike). Nga kontrollet dhe verifikimet në këto subjekte rezultoi se administratorët e tyre nuk deklaronin në organet tatimore, të ardhurat që përfitonin nga injektimi i produktit “Botulinum toxin”, te pacientët, pasi produkti dyshohet se është i kundërligjshëm dhe i kontrabanduar.
Për këtë paligjshmëri u arrestuan në flagrancë shtetasit M. K., Xh. M. dhe D. Sh. Shtetasi M. K. është administrator i një subjekti privat që dyshohet se kontrabandon dhe magazinon produktin e kundërligjshëm, si dhe furnizon me të, klinikat. Ndërkaq, shtetaset Xh. M. dhe D. Sh. janë administratore të 2 prej klinikave ku injektohej ky produkt.
Në vijim të veprimeve procedurale në kuadër të këtij operacioni, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetaset A. T., J. B., J. Z., L. C., K. B. dhe E. Sh, si dhe u shpallën në kërkim shtetasit S. F., K. B. dhe A. F. B., të gjithë adminstratorë klinikash estetike ku injektohej ky produkt. Punohet për kapjen e 3 shtetasve të shpallur në kërkim.
Materialet procedurale shtesë i kaluan Prokurorisë së Tiranës, për hetime të mëtejshme.