Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka përmbyllur deklaratën e tij para trupit gjykues në Hagë duke theksuar se nuk mban asnjë përgjegjësi për akuzat e ngritura ndaj tij.

Në nisje të fjalës, Thaçi uroi shqiptarët me rastin e përvjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, ndërsa më pas përsëriti bindjen e tij për pafajësi.

“Për gati tri vite në këtë sallë ju keni dëgjuar akuzat e prokurorisë. Ju keni dëgjuar edhe të vërtetën. Është vetëm një e vërtetë – unë jam plotësisht i pafajshëm”, deklaroi ai.

Duke rikujtuar periudhën e fillimit të luftës në Kosovë, Thaçi tha se gjatë masakrave të vitit 1998 ndodhej në Zvicër si student dhe jo në përpjekje për të marrë kontrollin politik.

“Në kohën e masakrave në fillim të vitit 1998 isha student në Cyrih. Nuk po bëja plane për ta marrë kontrollin e Kosovës, por për provimet në fakultet. I vetmi njeri që po bënte plane morbide ishte Sllobodan Millosheviqi”, u shpreh ai.

Thaçi shtoi se vendimi për t’u kthyer në Kosovë erdhi si reagim ndaj dhunës së ushtruar mbi popullsinë civile, duke e cilësuar atë një moment përcaktues.

Procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së vijon të jetë një nga çështjet më të ndjekura në Kosovë dhe rajon, ndërsa deklarata përmbyllëse e Thaçit pritet të peshojë në fazat e ardhshme të gjykimit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu