Paraditen e sotme, në Katedralja Ortodokse Ngjallja e Krishtit, u mbajt Liturgjia Hyjnore për Lindjen e Krishtit, ku besimtarët ortodoksë kremtuan një nga festat më të rëndësishme të kalendarit fetar. Mesha e Shenjtë u udhëhoq nga Kryepeshkopi Joani, Kryepeshkop i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë.

Gjatë fjalës së tij, Kryepeshkopi Joani theksoi se mishërimi i Krishtit është dhurata më e madhe që i është bërë njerëzimit, duke nënvizuar se vetëm prania e Zotit mund të ndriçojë zemrat dhe shpirtrat e njerëzve dhe t’u japë jetëve të tyre dritë e gëzim. Ai tha se Krishti nuk është thjesht një mësues apo profet, por Ai që bashkon natyrën njerëzore me Perëndinë dhe e gjallëron atë.

“Është detyra e çdo të krishteri ta shpallë me gëzim këtë lajm të mirë dhe ta dëshmojë pa u lodhur, sepse vetëm duke e ndarë dritën me të tjerët ajo mund të ruhet dhe të rritet. Përndryshe, ajo zbehet dhe zhduket”, u shpreh Kryepeshkopi Joani. Ai shtoi se sot, më shumë se kurrë, bota ka nevojë për dritën e Krishtit, pasi një jetë pa praninë e Zotit shndërrohet në një jetë pa dashuri, pa gëzim dhe pa shpresë.

Në mesazhin e tij, Kryepeshkopi Joani u bëri thirrje besimtarëve që gjatë ditëve festive të përjetojnë më thellë shenjtërinë e Krishtlindjes, duke pastruar zemrën nga ligësia dhe duke e mbushur atë me dashuri, përulësi dhe kujdes për njerëzit në nevojë, veçanërisht për ata që vuajnë nga varfëria, sëmundja, dëshpërimi apo vetmia. Ai e mbylli mesazhin me urimin: “Gëzuar Krishtlindjen dhe për shumë vjet”.

Krishtlindja përkujton lindjen e Jezu Krishtit, Birit të Perëndisë dhe Shpëtimtarit të njerëzimit, dhe konsiderohet si një nga festat më të bukura për besimtarët e krishterë, e shoqëruar me simbolikën e pemës së Krishtlindjes, dhuratat dhe gatimet tradicionale.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu