Ilir Meta, Presidenti i Partisë së Lirisë, ka reaguar nga burgu pas revokimit të masës së sigurisë “arrest shtëpie” me vendim të GJKKO-së për ish-kryeministrin Sali Berisha.
Meta i dërgon përshëndetje të përzemërta Sali Berishës dhe uron qytetarët, të cilët, thotë se meritojnë një shtet të së drejtës.
Ilir Meta: Përshëndetjet më të përzemërta për liderin e Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha dhe urime për të gjithë qytetarët që duan dhe meritojnë një shtet të së drejtës! Në veçanti, dua të përshëndes Prof. Dr. Berishën me deklaratën time, si President i Republikës, të bërë më 22 maj 2021, kur ai u shpall “non grata”, sepse gjithmonë kam qenë i bindur se ajo fletërrufe u hartua kundër tij nga Edi Rama, Sorosi, Charles McGonigal, Rossini dhe Mcgonigalët e tjerë për të shkatërruar pluralizmin politik për qëllime korruptive dhe helmuar marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA.
Mirënjohje të jashtëzakonshme edhe për Gjykatën e Strasburgut, që si asnjëherë tjetër, e ka klasifikuar rastin “Berisha” si “leading case”, pra të rëndësishëm dhe e kanë komunikuar shumë shpejt këtë njoftim, pa pritur shterim të gjykatave të brendshme. Desorosifikimi i drejtësisë dhe shoqërisë tonë është një emergjencë kombëtare për të rivendosur shtetin e së drejtës dhe mbrojtur interesat kombëtare.
Pas 331 ditësh izolim shtëpiak, Sali Berisha rifitoi lirinë. Vendimi u dha sot nga gjyqtarja e Posaçme Flojera Davidhi dhe hyn menjëherë në fuqi. Davidhi është e njëjta gjyqtare që ka në duar edhe një tjetër vendimmarrje ndaj krytarit të PD-së, atë të dërgimit apo jo në gjyq të dosjes “Partizani”.
Sipas avokatit mbrojtës të Berishës, ndaj tij nuk ekzistojnë më kushtet që ai të mbahet i izoluar, pasi edhe rreziku i prishjes së provave siç thotë SPAK, nuk qëndron përsa kohë ato janë depozituar në gjykatë.
Sali Berisha u izolua në shtëpi në 30 dhjetor të vitit të kaluar, pasi nuk zbatoi për të disatën herë urdhrin e Gjykatës Antikorrupsion për tu paraqitur përballë policisë gjyqësore. Nga ai moment, një nga një, Berisha ka ezauruar të gjitha shkallët e gjyqësorit, ndërsa fitoi pjesërisht edhe betejën në Gjykatën Kushtetuese, duke marrë edhe një herë të drejtën për të udhëtuar jashtë shtetit që nga bllokimi i pasaportës./vizionplus.