Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, njoftoi të shtunën pasdite se janë hapur dy pikat kufitare që autoritetet kosovare i kishin mbyllur të premten mbrëma, në Bërnjak dhe Merdare.
Pikëkalimi në Jarinjë u hap mëngjesin e së shtunës. Rihapja e tyre vjen pasi shoqatat serbe i hoqën të gjitha bllokadat që i kishin vendosur të premten pasdite për të protestuar kundër vendimeve të autoriteteve kosovare në veriun e banuar me shumicë serbe.
“Pas pranimit të njoftimeve se tashmë janë larguar bllokadat e krijuara nga ekstremistë të maskuar që kanë qenë të vendosura dje në territorin e Serbisë dhe duke parë se nuk ka ndonjë pengesë për qarkullim nga dhe drejt pikave kufitare të Republikës së Kosovës, morëm vendimin për hapjen për qarkullim të pikave kufitare Merdarë dhe Bërnjak”, tha Sveçla në Facebook.
Dragisha Miriqit, kryetar i Shoqatës Koreni në Serbi, njoftoi të shtunën pasdite se bllokada në Merdare është hequr.
Miriq tha se shoqata e tij do të presë deri më 1 tetor për plotësimin e kërkesave të tyre nga autoritetet kosovare dhe paralajmëroi bllokadë të re kufitare, nëse kërkesat e serbëve nuk plotësohen.
Presidenca njofton se Presidentja Vjosa Osmani ka pritur këtë javë në takim të Ngarkuarën me Punë të misionit të SHBA-ve në Kosovë, Anu Prattipati, me të cilën bisedoi për zhvillimet e fundit në vend, me fokus të veçantë në zhvillimet e sigurisë, si dhe tema të tjera të interesit të përbashkët.
Sipas njoftimit në takim u diskutua edhe për rëndësinë e bashkërendimit me partnerët e Republikës me qëllim të suksesit të qëndrueshëm në përmbushjen e objektivave të përbashkëta.
Tutje, pothuajse një vit pas aktit të agresionit të Serbisë ndaj Kosovës, Presidentja Osmani theksoi se mungesa e llogaridhënies dhe drejtësisë për personat përgjegjës është në dëm të paqes e sigurisë jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon.
Ajo potencoi po ashtu se ekzistimi i strukturave ilegale në veri e mbanë peng integrimin e plotë të komunitetit serb, dhe se luftimi i strukturave ilegale është në dobi të vet qytetarëve në atë pjesë dhe të sundimit të ligjit./RTK