
Në kuadër të aksionit kombëtar për rikthimin e hapësirave publike, ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha zbriti sot në terren, ku vizitoi disa nga zonat më të populluara në kryeqytet.
I shoqëruar nga drejtuesit e IMT-së, Policisë Bashkiake dhe Policisë së Shtetit, ata u ndalën në Bulevardin “Zogu i Parë”, Pazarin e Ri, zonën pas Muzeut Kombëtar dhe në një kompleks pranë zonës së njohur si ’21 Dhjetori’.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Hoxha bëri apel për lirimin e hapësirave vullnetarisht nga subjektet.
Postimi i plotë i ministrit Hoxha:
Sot në Tiranë, së bashku me drejtuesit e IMT-së, Policisë Bashkiake, strukturat e tyre dhe Policinë e Shtetit ishim në disa zona kyçe dhe të populluara në kryeqytet, si Bulevardi “Zogu i Parë”, Pazari i Ri, zona pas Muzeut Kombëtar dhe një kompleks pranë zonës së njohur si ’21 Dhjetori’. Synimi është i qartë, rikthimi i trotuareve, shesheve dhe hapësirave publike, jo vetëm në qendër por kudo, tek dhe për qytetarët.
Asnjë subjekt nuk ka të drejtë të pushtojë hapësira në kurriz të komunitetit. Policia e Shtetit do të vijojë të mbështesë me vendosmëri çdo institucion për zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e interesit publik.
Apeli im shkon për çdo subjekt në shkelje, që të lirojë shpejt e vullnetarisht hapësirat e zëna, duke kontribuar për një qytet më të pastër, më të sigurt dhe të aksesueshëm nga të gjithë. Reagimet e para pozitive nga vetë subjektet nuk kanë munguar.
Falënderim për strukturat, që pavarësisht temperaturave të larta janë në terren, e mbi të gjitha për qytetarët që mbështesin këtë përpjekje për rregull e bashkëjetesë!/opinion