
Aksioni i nisur prej javësh për lirimin e hapësirave publike dhe ndërtimet pa leje është zhvendosur këtë fundjavë në zonën e Farkës. Forca të shumta të IMT-së dhe Policisë Bashkiake rrethuan një ndërtim në shkelje flagrante të lejes së ndërtimit.
Nënkryetari Blendi Sulaj, i cili ndoqi aksionin dhe kryeson Task-Forcën e kryeqytetit, tha se firma ishte në tejkalim të lejes zhvillimore me më shumë se 2 mijë m².
Në një nga zonat më të bukura të Tiranës, buzë liqenit të Farkës, ai paralajmëroi ndërtuesit për përvijimin e masave dhe ndjekje penale në rast abuzimesh.
IMT e Bashkisë Tiranë konstatoi një subjekt ndërtues buzë liqenit të Farkës, i cili kishte abuzuar me lejen e ndërtimit, duke tentuar ta fshihte përmes kantiereve. Nëpërmjet dronëve dhe kontrollit të zhvilluar për 10 ditë, IMT arriti të përfundonte një operacion të suksesshëm, ku ndërtuesit iu bllokua kantieri i ndërtimit dhe u gjobit me një vlerë të konsiderueshme.
“Çdo ndërtues që kryen punime pa zbardhjen e lejes së ndërtimit apo pa paguar taksën e infrastrukturës është në shkelje të rëndë të ligjit dhe do të përballet me forcën e ligjit,” theksoi nënkryetari Blendi Sulaj./shqiptarja







