
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka publikuar këtë të premte, 16 janar, një deklaratë të Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, ku shprehet shqetësimi për gjendjen e lirisë së shprehjes në Europë.
Në deklaratën e shpërndarë, Rubio thekson se liria e shprehjes është një nga vlerat themelore mbi të cilat janë ndërtuar aleancat dhe partneritetet mes SHBA-ve dhe vendeve europiane, duke e cilësuar atë si një parim kyç të bashkëpunimit transatlantik.
Sipas tij, respektimi dhe mbrojtja e të drejtës për të shprehur mendimin është një gur themeli i demokracisë, sigurisë dhe stabilitetit politik në kontinentin europian, si dhe një element thelbësor për forcimin e marrëdhënieve mes aleatëve.
“Aleancat tona me partnerët tanë europianë janë ndërtuar mbi parimet dhe vlerat tona të përbashkëta. Një nga këto vlera, shpresojmë, është liria dhe liria e shprehjes”, shprehet Rubio.
Deklarata vjen në vijim të qëndrimeve të mëparshme të Sekretarit amerikan të Shtetit, i cili ka ngritur shqetësime për respektimin e lirisë së fjalës në disa vende të Europës.



