Në darkën e organizuar për të ftuarit e Forumit Ndërkombëtar të Sigurisë dhe Politikave Globale, Linda Rama mbajti një fjalë frymëzuese për sfidat dhe transformimet që po përjeton bota në epokën e globalizimit.

Në një audiencë që përfshinte përfaqësues të lartë politikë, ekspertë ndërkombëtarë dhe drejtues institucionesh, Rama ndau reflektime personale dhe profesionale mbi zhvillimet globale, duke theksuar se “pyetja nëse po jetojmë ende në epokën e globalizimit, është më e rëndësishme se kurrë”.

Ajo kujtoi përvojën e saj personale në vitin 1992, kur për herë të parë kaloi kufirin pas periudhës komuniste, duke e përshkruar si momentin e parë të përballjes me lirinë dhe ëndrrën e një bote të hapur. “Ëndrra jonë më e madhe ishte liria. Ndërsa ne arratiseshim nga komunizmi, ju po ëndërronit fshatin global – dhe me shpejtësi po e realizonit”, u shpreh ajo.

Në fjalën e saj, Linda Rama nënvizoi rolin që globalizimi ka pasur në zhvillimin e vendeve të vogla si Shqipëria: “Falë globalizimit, Shqipëria ka mundur të ndjehet dhe të veprojë pa kufij. 12 milionë vizitorë erdhën vitin e kaluar në një vend me më pak se 3 milionë banorë”.

Duke iu referuar figurave që kanë përfaqësuar Shqipërinë në arenën ndërkombëtare, ajo përmendi Nënë Terezën, Ismail Kadarenë, Dua Lipën, Ermonela Jahon dhe Mira Muratin si shembuj të suksesit të identitetit shqiptar në një botë të ndërlidhur.

Megjithatë, Rama paralajmëroi për fragmentimin politik të globalizimit dhe pasiguritë që po e shoqërojnë atë sot. “Institucionet globale janë në pikëpyetje, pabarazitë vazhdojnë, prirjet izolacioniste po rishfaqen, ndërsa luftërat dhe tensionet po përhapen përtej kufijve”, tha ajo.

Në mbyllje, ajo përdori një metaforë të fuqishme, duke krahasuar gjendjen aktuale të globalizimit me “çantën e shpinës” që mbart djali i saj Zaho në shkollë – plot dije, por edhe e rëndë, komplekse dhe e vështirë për t’u mbajtur.

“Ne të gjithë mbajmë sot çantën e shpinës së globalizimit. Është e drejtë të shqetësohemi, por ngadalësimi i tij mund të jetë një dhuratë – një mundësi për reflektim, për ta bërë rrugëtimin më të lehtë dhe më të qartë për fëmijët tanë”, përfundoi Linda Rama.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu