
Deklarata e drejtueses së Departamenti të Arsimit në PD, Lili Sula:
Korrupsioni i publikuar ditët e fundit në Universitetin Bujqësor tregon se financat e publikut nuk shkojnë te studentët dhe pedagogët, por në xhepat e qeverisë dhe klientëve të saj.
Sot, denoncojmë një tjetër dështim e mashtrim në Arsim, procesin e Akreditimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë dhe të Programeve të Studimit që ofrojnë.
Pasi përjashtoi nga arsimi i lartë më shumë se 40% të maturantëve dhe pasi u hoqi studentëve të drejtën për arsim cilësor, qeveria e Rilindjes bën atë që ka bërë në çdo sektor tjetër:
Fsheh, gënjen e mashtron studentët për dështimin e proceseve akredituese, pasojë e së cilës është fakti, që mijëra studentë që kanë përfunduar studimet në universitete të ndryshme, nuk marrin diplomat, pasi programet e studimit nuk janë të akredituara.
Pra, vitet e shkollimit, financat e prindërve dhe ëndrra e tyre për profesionin, punësim e karrierën, hidhen në kosh.
Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit të Lartë (ASCAL) u themelua në vitin 2010, mbështetur në modelet më të mira të vendeve të BE-së, me qëllim për t’i siguruar ekspertizë dhe garanci publikut për cilësinë e arsimit të lartë.
Sot Agjencia, rezulton tërësisht e politizuar nga Rilindja dhe tërësisht jashtë standardeve profesionale. ASCAL sot është kthyer në ‘Noter’ të korrupsionit dhe të rrënimit të cilësisë së arsimit të lartë. Kapja politike dhe zhbërja profesionale e këtij institucioni, e ka bërë akreditimin një proces të pabesueshëm, klientelist e të dështuar, ç’ka dëshmohet në faktin se universitetet tona, ndryshe nga ato të Ballkanit, nuk përfshihen në renditjet europiane dhe botërore.
Aktualisht, struktura dhe burimet njerëzore që ka Agjencia për të përmbushur funksionet dhe përgjegjësitë publike për Monitorimin, Vlerësimin dhe Akreditimin e Institucioneve dhe Programeve të Studimit (të të gjitha cikleve), është katandisur në nivelin e një Sektori, me 5 punonjës të kategorisë specialist.
Se si mund të menaxhohet e t’u besohet vetëm 5 punonjësve, monitorimi, vlerësimi dhe akreditimi i cilësisë në 40 institucione të arsimit të lartë dhe të mbi 1300 programeve studimi që ofrohen sot, dhe i afro 500 programeve studimi të aplikuara dhe që presin për akreditim, këtë ‘përgjigje’ mund ta japë vetëm mendja diabolike e Ramës dhe Manastriliut.
Ndërkaq, trupa e Vlerësuesve të Jashtëm është e pamjaftueshme dhe e papërshtatshme në cilësi e kualifikim. Kjo listë është dukshëm e mbushur me rilindas, që jo vetëm nuk prodhojnë garanci dhe objektivitet, por mbyllin aferat korruptive të drejtuesve të IAL-ve dhe kontrollojnë konkurrencën e IAL-ve ndërmjet tyre.
Për tu përshëndetur është fakti që, shumë specialistë dhe ekspertë të fushave të ndryshme të studimit dhe kërkimit, kanë refuzuar të jenë pjesë e kësaj liste.
Sot, në shumë institucione publike të arsimit të lartë, që kanë marrë të ashtuquajturin Akreditim Institucional, gjenden Departamente dhe madje Fakultete parazitare e të panevojshme që nuk përmbushin kriteret dhe standardet e kërkuara nga ligji.
Këto struktura akademike, tregojnë shpërdorimin masiv të financave publike dhe janë hapur e licencuar vetëm për të trafikuar nderet, qokat, korrupsionin, interesat politike të Rilindjes dhe drejtuesve të IAL-ve, e madje, në jo pak raste, edhe të veseve të tyre.
Të dashur studentë,
Partia Demokratike, e lindur nga studentët, është gjithmonë në mbështetjen tuaj dhe ju siguron ju dhe çdo maturant, që rrënimi i arsimit të lartë merr fund me largimin e kësaj qeverie.
Partia Demokratike, me programim për arsimin e lartë, zotohet solemnisht që arsimi i lartë, pas 11 Majit do të kthehet në shërbim të zhvillimit të vendit.