Kryeministri Edi Rama ka publikuar sot, 30 gusht, pamjet nga shpërthimi i resortit te Kepi Rodonit, duke theksuar se puna për mbrojtjen e vendit nga abuzuesit vazhdon nga veriu në jug.

Rama saktëson se në Durrës është vendosur rendi ligjor mbi një territor të marrë peng nga një abuzues, i cili është ndaluar nga Policia e Shtetit dhe i është dorëzuar drejtësisë.

“Ca zëra në nisje të kësaj kthese të re thoshin “po pse Thethi e jo Jugu, po pse ashtu e jo kështu”, ndërkohë puna për mbrojtjen e vendit nga abuzuesit vazhdon në veri, jug dhe Shqipërinë e Mesme, ku konkretisht në Durrës është vendosur rendi ligjor mbi një territor të marrë peng nga një abuzues, i cili është ndaluar nga Policia e Shtetit e i është dorëzuar drejtësisë edhe si ish-drejtues i inspektorëve të Durrësit”, shkruan kreu i qeverisë.

Kryeministri nënvizon kështu se zbatimi i ligjit nuk njeh asnjë zonë.

Resorti “Saint Michelle Residence”, i ndërtuar pa leje nga ish-drejtori i Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit në Durrës, Ardian Halili, u shemb të premten, 29 gusht, me shpërthim të kontrolluar.

Një ditë para prishjes së resortit, Halili u arrestua nga autoritetet, nën akuzën për shkelje të ligjit dhe abuzim me detyrën.

“Shtetasi A. H. e ka ndërtuar këtë objekt, i cili përbëhet nga 11 kabina tip garsoniere, një godinë 2-katëshe, një fushë minifutbolli dhe një pishinë, në një sipërfaqe toke prej 5,600 m², gjatë kohës kur ai ka ushtruar funksionin e Kryeinspektorit të IMT-së në Bashkinë Durrës dhe konkretisht gjatë viteve 2018-2021. Nga verifikimet e kryera rezultoi se ndërtimi i këtij objekti pa leje ka filluar prej vitit 2018 e në vijim“, ka deklaruar më herët Policia për rastin.

Çështja në ngarkim të Ardian Halilit, është referuar nga policia në SPAK.

/tvklan.al

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu