
Në vend të sillnin qartësi, projektligjet e reja të qeverisë, ai për rivlerësimin e pronave dhe çmimet e referencës po krijojnë konfuzion dhe frikë në tregun imobiliar.
Shoqata e Pasurive të Paluajtshme
Shoqata Shqiptare e Pasurive të Paluajtshme (NAREA) ngre alarmin se njoftimi i papritur në fund të korrikut, pa asnjë proces konsultimi me profesionistët e tregut, rrezikon të ngrijë aktivitetin e blerje-shitjeve për muaj me radhë. Sipas tyre, kjo nuk është hera e parë që vendime të rëndësishme për sektorin e pasurive të paluajtshme merren në mënyrë të njëanshme, pa dialog dhe pa vlerësim të ndikimit real që kanë tek qytetarët dhe investitorët.
PROJEKTLIGJET
Këtë të mërkurë, Ministria e Financave ka nxjerrë për konsultim publik dy projektligje që pritet të kenë ndikim të madh në tregun e pasurive të paluajtshme: një projektligj për rivlerësimin e pronave me tatim të reduktuar dhe një hartë të re me çmime reference për të gjithë territorin e vendit. Por, ndërsa qeveria synon të përgatisë terrenin për reformën e taksës së pronës që do të hyjë në fuqi në vitin 2026, aktorët kryesorë të tregut shprehen të alarmuar për mënyrën si po ndërmerret ky proces.
Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës Shqiptare të Pasurive të Paluajtshme (NAREA), Reinaldo Pipiria, shprehet se publikimi i projektligjit për rivlerësimin në fund të korrikut është i nxituar dhe i panevojshëm, duke sjellë pasoja të menjëhershme në dinamikën e tregut.
“Sikurse ndodhi një vit më parë me propozimin për rivlerësim me tatim 3%, edhe këtë herë tregu do të ngrijë veprimtarinë në pritje të ligjit të ri. Ky paralajmërim de facto e bllokon tregun për muaj me radhë, edhe pse procesi parashikohet të nisë vetëm në janar 2026,” – deklaron Pipiria.
Edhe më i ashpër është reagimi i shoqatës për hartën e re me çmimet e referencës. Sipas NAREA-s, asnjë konsultim nuk është zhvilluar me përfaqësues të tregut, as në këtë rast, as gjatë vendosjes së çmimeve për Tiranën në vitin 2023. Shoqata kërkon që çmimet e referencës të përcaktohen në mënyrë transparente dhe të bazuar në të dhëna reale nga transaksionet e regjistruara në Kadastër, sipas zonave të qytetit.
Akti aktual, sipas tyre, mbështetet mbi ndarje të pasakta gjeografike që krijojnë pabarazi dhe pasiguri për investitorët dhe qytetarët. Një rast ilustrues është Tirana, ku në disa raste një godinë në njërin krah të rrugës ka çmim reference shumë më të lartë se ajo përballë, ndonëse janë të njëjtit bllok ndërtimi. Kjo luhatje sipas ndarjeve artificiale e deformon çmimin real dhe e dëmton tregun.
Sipas projekt-hartës, referencat më të larta janë vendosur për zonat turistike, me fokus Durrësin, ishullin e Sazanit, si dhe segmentet bregdetare. Por krahasuar me tregun real, përfaqësues të agjencive imobiliare shprehen se disa nga çmimet nuk përputhen me logjikën e tregut. Për shembull, çmimi i referencës prej 200 mijë lekësh për metër katror për Durrësin dhe Sazanin është më i lartë sesa për zonat e Vlorës dhe Sarandës, ndonëse këto të fundit kanë çmime shitjeje në treg më të larta.
TAKSA E PRONES
Çmimet e referencës do të jenë bazë për llogaritjen e taksës së pronës, që qeveria pritet ta zbatojë nga viti 2026. Nëse kjo bazë është jo reale, ekspertët paralajmërojnë se edhe tatimi i ri do të jetë i padrejtë, duke goditur në mënyrë të pabarabartë qytetarët në zona të ndryshme të vendit. Në fund, NAREA kërkon dialog real dhe përfshirje të sektorit në vendimmarrje, për të parandaluar një tjetër krizë të heshtur në tregun imobiliar, i cili po përballet me ngadalësim që nga viti i kaluar. Në vend të surprizave në fund korriku, sektori kërkon planifikim të kujdesshëm dhe mbështetje për një reformë të mirëfilltë, jo thjesht lëvizje teknike me pasoja të mëdha.