Gjykata Kushtetuese ka pranuar pjesërisht kërkesën e opozitës për pezullimin e ligjit për Komisionet Hetimore, duke urdhëruar Kuvendin për disa ndryshime. Në seancën e zhvilluar sot në Gjykatën Kushtetuese, me vendim unanim është vendosur shfuqizimi i nenit 9 që parashikon marrjen e lejes nga prokuroria dhe gjykata për pyetjen e dëshmitarëve, si dhe të drejtën e dëshmitarit për të refuzuar të dëshmojë.
Sa i takon marrjes së lejes nga Prokuroria dhe Gjykata, Kushtetuesja e vlerëson si të panevojshme, duke thënë se qëllimi i ruajtjes së sekretit hetimor mund të përmbushet nga pyetja e dëshmitarëve me dyer të mbyllura
“Gjykata, duke mbajtur në konsideratë se procedura e hetimit parlamentar ndjek qëllime të ndryshme nga ajo e procedimit penal, duke synuar qartësimin e një çështjeje për arsye politike, thekson se ky qëllim përputhet me parimin e ndarjes së pushteteve”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.”
Nenin 4 që lidhet me nismën për ngritjen e një Komisioni Hetimor, njëzëri, Gjykata Kushtetuese e vlerëson të papajtueshëm me Kushtetutën. Gjykata urdhëron Kuvendin që duhet të lihet një hapësirë ligjore që në rast se opozitës i refuzohet ngritja e një komisioni hetimor nëse nuk plotëson tri kriteret e parashikuara në ligj, të ketë mundësinë që të riformulojë kërkesën.
“Ky reflektim është i paplotë, për sa kohë janë reflektuar vetëm tre kriteret: i) çështja duhet të ketë të bëjë me funksionin ligjvënës dhe funksione të tjera të Kuvendit; ii) objekti i hetimit duhet të fokusohet në çështje ose subjekte konkrete; iii) duhet të ekzistojnë të dhëna ose indicie të mjaftueshme për ekzistencën e çështjes për të cilën kërkohet ngritja e komisionit hetimor.
Duke lënë jashtë këtyre kritereve “formulimin alternativ” të objektit të hetimit, si një nga elementet që mundëson ngritjen e komisionit hetimor, formulimi aktual i dispozitës ligjore passjell cenimin deri në pamundësinë e ushtrimit të së drejtës së pakicës parlamentare.”
Për herë të parë, Kushtetuesja i jep mundësinë opozitës që në rast se mazhoranca refuzon të drejtën për të marrë provat nga institucionet të ndryshme të drejtohet me ankim në Gjykatën Kushtetuese. Nuk mjafton vetëm forca e kartonit për të rrëzuar kërkesat e opozitës për marrjen e provave, por në raste të tilla Gjykata Kushtetuese thotë se ky vendim duhet të jetë i arsyetuar me shkaqet përkatëse.
Marrja e provave nga komisioni hetimor duhet të synojë të sjellë “dritë në errësirë”, në mënyrë që të mundësojë sqarimin e përgjegjësive politike. Vendimi i ndërmjetëm për refuzimin e provave duhet të jetë përjashtim nga rregulli i përgjithshëm, sipas të cilit provat e kërkuara nga pakica parlamentare duhet të merren.
Vendimi për refuzimin e provave duhet të jetë i arsyetuar në drejtim të shkaqeve. Një vendim refuzimi mund të çojë edhe në lindjen e një mosmarrëveshjeje kompetencash ndërmjet organeve kushtetuese”, thuhet në njoftim./shqiptarja.com