Qeveria ka miratuar një ligj të ri për bashkëpronësinë në banesat kolektive, me qëllim përmirësimin dhe menaxhimin e hapësirave të përbashkëta si dhe për cilësi më të mirë të jetesës në komunitetet urbane.

Ky ligj vjen si përgjigje ndaj një “boshllëku” ligjor që ka ekzistuar prej dekadash. Pas privatizimit të apartamenteve në vitet ’90, shumë prej elementeve si fasadat, soletat, shkallët dhe çatitë mbetën pa një status të qartë juridik. Ligji i ri i njeh këto si pronë të përbashkët të banorëve, duke vendosur detyrime të përbashkëta për mirëmbajtjen dhe administrimin e tyre.

Një ndër risitë kryesore është krijimi i “librit të bashkëpronësisë” nga ana e bashkive, një dokument zyrtar që përcakton qartë cilat janë hapësirat e përbashkëta dhe cilat janë detyrimet financiare të çdo banori.

Po ashtu, ligji i ri forcon rolin e administratorit të godinës, i cili tani mund të regjistrohet me NIPT, të lëshojë fatura zyrtare dhe të menaxhojë llogari bankare në emër të komunitetit. Faturat që lëshohen do të kenë fuqi ekzekutive, çka i bën pagesat e detyrueshme dhe shmang refuzimin nga individë të veçantë për të kontribuar në shërbimet e përbashkëta.

Administratorët do të mund të menaxhojnë edhe fonde rezervë për emergjenca apo projekte specifike, duke sjellë një model më funksional dhe transparent të administrimit të pallateve, i cili ka dhënë rezultate pozitive aty ku është zbatuar.

Ligji pritet të sjellë rregull, transparencë dhe përfshirje më të madhe të komuniteteve urbane në mirëmbajtjen e hapësirave të përbashkëta dhe në bashkëpunim me njësitë vendore për përmirësimin e infrastrukturës.

/tvklan.al

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu