Ministri i Sigurisë Kombëtare i Izraelit nga e djathta ekstreme, Itamar Ben-Gvir, mbante në xhaketë një simbol laku (litari për varje) për të treguar mbështetjen e tij ndaj projektligjit.

Parlamenti i Izraelit ka miratuar një ligj të ri që parashikon dënimin me vdekje për palestinezët e shpallur fajtorë për sulme terroriste me pasoja vdekjeprurëse.

Ligji u miratua në lexim të tretë në Knesset me 62 vota pro dhe 48 kundër, ndërsa kryeministri Benjamin Netanyahu votoi në favor të tij. Sipas dispozitave, të dënuarit mund të ekzekutohen me varje brenda 90 ditëve, me mundësi shtyrjeje deri në 180 ditë.

Nisma është shtyrë fort nga krahu i djathtë i politikës izraelite, me ministrin e Sigurisë Kombëtare Itamar Ben-Gvir si një nga mbështetësit kryesorë. Ai e cilësoi miratimin si një moment historik.

Megjithatë, ligji ka shkaktuar reagime të forta brenda dhe jashtë vendit. Kritikët e konsiderojnë atë diskriminues, duke argumentuar se në praktikë do të zbatohet vetëm ndaj palestinezëve. Edhe disa vende europiane kanë shprehur shqetësim se ky hap mund të dëmtojë parimet demokratike.

Autoriteti Palestinez e dënoi ligjin duke e cilësuar si përpjekje për të legjitimuar vrasjet jashtëgjyqësore, ndërsa Hamasi paralajmëroi për rrezikun ndaj të burgosurve palestinezë në Izrael.

Nga ana tjetër, opozita izraelite ka kritikuar nismën, duke argumentuar se ajo nuk kontribuon në rritjen e sigurisë dhe mund të çojë në pasoja ndërkombëtare për vendin.

Ligji pritet të sfidohet në Gjykatën Supreme të Izraelit, ndërsa organizatat për të drejtat e njeriut e kanë cilësuar atë si antikushtetues dhe diskriminues.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu