
Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara ka publikuar sot dosjen për Charles McGonigal, ish-agjentin e FBI, ku përmenden edhe lidhjet e tij me Shqipërinë, si dhe identifikimi i “Personit A” dhe “Personit B”, si dhe pagesa prej $225,000, por edhe lidhja e rastit me kryeministrin Edi Rama.
Sipas detajeve të zbuluara, provat tregojnë se McGonigal ishte i përfshirë në veprimtari të ndaluara, duke minuar integritetin dhe besueshmërinë e FBI-së dhe duke shkelur Kodin Penal të këtij institucioni.
Raporti konfirmon se McGonigal, gjatë kohës që ishte në detyrë, mori një shumë prej 225 mijë dollarësh nga një biznesmen shqiptar me lidhje të ngushta me qeverinë. Përveç kësaj, ai zhvilloi takime të fshehta në Tiranë dhe Nju Jork me individë të cilët përshkruhen si “ish-zyrtarë të lartë të qeverisë shqiptare”, dhe pati dy darka private me kryeministrin Edi Rama gjatë vizitave të tij në Shqipëri.
Raporti thekson edhe një moment, i ndodhur në 9 shtator 20217, kur Charles McGonigal i ka dërguar një miku të afërt një foto me kryeministrin duke shkruar se ky i fundit po reformonte drejtësinë në Shqipëri dhe se ky zhvillim prezantonte “shumë mundësi”.
foto galeri foto galeri foto galeri 123PreviousNext
Raporti i Departamentit të Drejtësisë e përshkruan këtë marrëdhënie si pjesë të një skeme më të gjerë korrupsioni dhe ndikimi të paligjshëm, që përfshin edhe kompani kineze dhe oligarkë rusë.
Raporti thekson se McGonigal ka përdorur pozitat e tij për të favorizuar lidhje biznesi në Shqipëri, duke e parë këtë si mundësi fitimi personal pas pensionimit nga FBI. Ai nuk e raportoi asnjëherë udhëtimet dhe takimet me zyrtarët e huaj, si dhe lidhjet me biznesmenë shqiptarë, një shkelje serioze e rregullave të FBI-së dhe ligjeve federale të Shteteve të Bashkuara./balkanweb