Liderët e Bashkimit Evropian pritet t’i tregojnë sot Komisionit Evropian nëse janë të gatshëm të pranojnë një marrëveshje tregtare të shpejtë me Shtetet e Bashkuara, edhe nëse kjo do të nënkuptojë kushte më të favorshme për Uashingtonin, apo nëse duan të përshkallëzojnë përplasjen tregtare në kërkim të një marrëveshjeje më të mirë në të ardhmen.

Sipas burimeve diplomatike dhe zyrtarëve të BE-së, shumica e vendeve anëtare priren drejt një zgjidhjeje të shpejtë, me qëllim që më pas Unioni të mund të ndërmarrë masa të balancimit për të zbutur pasojat negative të kushteve aktuale.

Komisioni Evropian, që përfaqëson BE-në në negociatat tregtare, do t’i kërkojë liderëve të 27 vendeve anëtare të mbledhur në Bruksel, të vendosin se si duan të përgjigjen ndaj afatit të 9 korrikut, të vendosur nga presidenti amerikan Donald Trump për arritjen e një marrëveshjeje, që është tashmë më pak se dy javë larg.

BE-ja ka deklaruar se synon një marrëveshje që të jetë e dobishme për të dyja palët, por ndërsa Uashingtoni këmbëngul për tarifa 10% mbi shumicën e produkteve evropiane dhe kërcënon me rritjen e tyre, një numër gjithnjë e më i madh vendesh anëtare të BE-së kërkon një marrëveshje të shpejtë për të shmangur një konflikt të gjerë tregtar.

“Është në interesin e të gjithëve që të mos përshkallëzohet më tej përplasja tregtare me Shtetet e Bashkuara,” deklaroi kancelari gjerman Friedrich Merz në parlament të martën.

“E di që Komisioni Evropian po i zhvillon këto negociata me shumë kujdes dhe ka mbështetjen tonë të plotë. Shpresoj që të arrijmë një marrëveshje me SHBA-të deri në fillim të korrikut,” shtoi ai.

BE-ja aktualisht përballet me tarifa amerikane 50% për çelikun dhe aluminin, dhe 25% për makinat dhe pjesët e këmbimit, ndërkohë që shumica e produkteve të tjera të eksportuara drejt SHBA-ve janë të tarifuara me 10%. Trump ka kërcënuar se nëse nuk ka marrëveshje, kjo tarifë mund të rritet deri në 50%.

Deri tani, SHBA ka përfunduar marrëveshje tregtare vetëm me Britaninë e Madhe, por tarifa bazë 10% vazhdon të aplikohet. Zyrtarë amerikanë kanë deklaruar se ky nivel nuk do të ulet për asnjë partner tregtar.

Një pjesë e liderëve evropianë do të mbërrijnë në Bruksel drejtpërdrejt nga samiti i NATO-s në Hagë. Sipas vlerësimeve të Reuters, shumica nuk dëshiron që një luftë tregtare të pasojë menjëherë pas progresit diplomatik të arritur atje.

Temat kryesore në agjendën e samitit të BE-së

Përveç marrëveshjes me SHBA-në, liderët e BE-së në Bruksel do të diskutojnë edhe çështjet më të ngutshme me të cilat përballet blloku: lufta e Rusisë kundër Ukrainës, mbrojtja evropiane dhe gjendja ekonomike.

“Ukraina ka treguar vendosmëri për të nisur një proces të vërtetë paqeje. BE-ja do të jetë po aq e vendosur në mbështetjen e saj,” u shpreh presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, përpara nisjes së takimit dyditor.

Liderët pritet të diskutojnë zgjatjen e sanksioneve ekzistuese kundër Rusisë dhe mundësinë e masave të reja kufizuese. Komisioni Evropian ka propozuar më herët këtë muaj një paketë të 18-të sanksionesh që përfshin masa shtesë ndaj sektorëve energjetikë dhe bankar të Rusisë.

Ndërsa shumica e vendeve anëtare janë në një linjë me Ukrainën, kryeministri hungarez Viktor Orbán vazhdon të kundërshtojë ndihmën ushtarake për Kievin dhe perspektivën e anëtarësimit të Ukrainës në BE.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky pritet t’u drejtohet liderëve të BE-së përmes videolidhjes.

Izraeli, Irani dhe siguria në Lindjen e Mesme në fokus

Liderët do të diskutojnë gjithashtu tensionet mes Izraelit dhe Iranit, luftën në Gaza dhe marrëdhëniet mes BE-së dhe Izraelit.

“U bëj thirrje të gjitha palëve që të tregojnë përmbajtje dhe respekt për të drejtën ndërkombëtare dhe sigurinë bërthamore,” tha Costa. “Diplomacia mbetet e vetmja rrugë për paqe dhe siguri në Lindjen e Mesme. Viktimat kryesore të çdo përshkallëzimi do të jenë përsëri civilët.”

Fuqizimi i mbrojtjes dhe konkurrueshmërisë së BE-së

Në fund, liderët do të diskutojnë rritjen e kapaciteteve të mbrojtjes së BE-së në vitet në vijim si dhe mënyrat për përmirësimin e konkurrueshmërisë ekonomike të unionit.

Qëllimi, siç theksoi Costa, është “të ndërtojmë një Evropë më konkurruese, më të sigurt dhe më autonome për qytetarët tanë.”/Panorama

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu