
Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka prezantuar sot Liburn Aliun si drejtuesin e ri të Autoritetit Portual Durrës.
Aliu, ish-ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në Kosovë, do të marrë drejtimin e një prej institucioneve më strategjike të vendit, në një kohë kur po përgatitet projekti i madh i Portit të ri të Porto Romanos.
Në fjalën e saj gjatë ceremonisë së prezantimit, Balluku e vlerësoi Aliun si “profesionist të përkushtuar dhe vizionar”, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kosovës në zhvillimin e infrastrukturës detare.
“Drejtimi duhet të jetë në duar të mira dhe profesionale. Kreshnik Bajraktari do të marrë një detyrë të re, ndërsa stafetën do t’ia lërë një kolegu të mirë. Liburn Aliu ka përvojë të gjatë në fushën e infrastrukturës dhe e sheh Shqipërinë dhe Kosovën si një treg të përbashkët. Është gati të kontribuojë për të dy vendet,” – u shpreh Balluku.
Ajo nënvizoi se projekti i Portit të ri të Durrësit në Porto Romano është në fazën përfundimtare të përzgjedhjes së kompanisë fituese dhe pritet të nisë ndërtimin brenda vitit 2026.
“Pesë kompani kanë garuar dhe më 31 janar do të kemi fituesin. Synimi është që ndërtimi i portit të ri të fillojë brenda 2026 dhe të përfundojë për tre vite. Ky port do t’i shërbejë jo vetëm Shqipërisë, por edhe Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, duke qenë një bazë e rëndësishme tregtare dhe logjistike në rajon,” – tha Balluku.
Nga ana e tij, Liburn Aliu e cilësoi emërimin një nder dhe përgjegjësi të madhe, duke e quajtur Portin e Durrësit një port gjithëshqiptar.
“Kosova pjesën dërrmuese të mallrave e merr nga porti i Durrësit. Ky port duhet të jetë konkurrent në gjithë rajonin dhe të funksionojë si një urë lidhëse mes ekonomive tona,” – deklaroi Aliu.
Aliu ka shërbyer në Qeverinë e Kosovës nga viti 2021 deri në gusht të vitit 2025, kur dha dorëheqjen nga posti i ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Rasti i tij nuk është i pari i një bashkëpunimi të këtij niveli mes dy vendeve. Më herët, ish-zyrtarë të lartë nga Kosova, si Vlora Hyseni (tashmë drejtoreshë e SHISH-it) dhe Lulzim Rafuna, janë angazhuar në institucione të rëndësishme të shtetit shqiptar.







