Tiranë, 23 tetor 2025 – Një grup organizatash që mbrojnë të drejtat e komunitetit LGBTI në Shqipëri kanë reaguar ashpër ndaj projektligjit të depozituar në Kuvendin e Shqipërisë për një shtesë në ligjin nr. 10129, datë 11.05.2009 “Për gjendjen civile”, duke e cilësuar të papajtueshëm me Kushtetutën dhe me të drejtën ndërkombëtare të detyrueshme për vendin.

 

Në një deklaratë të përbashkët, organizatat nënshkruese theksojnë se kuadri ligjor aktual në Shqipëri njeh vetëm dy gjini, femër dhe mashkull, të përcaktuara në lindje dhe të barazuara me seksin biologjik. Çdo informacion ndryshe, sipas tyre, përbën keqinformim publik që ngjall frikë dhe pasiguri tek qytetarët.“Në Shqipëri nuk ekziston asnjë parashikim ligjor që lejon regjistrimin e gjinisë për personat interseks, transgjinorë apo me gjini jo-binare. Ky fakt juridik konfirmohet nga një seri rekomandimesh ndërkombëtare,” – thuhet në deklaratë.

 

 

 

Organizatat kujtojnë se edhe Komiteti i OKB-së për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave (CEDAW), në raportin e tij të fundit, ka vënë në dukje mungesën e një mekanizmi ligjor për njohjen e identitetit gjinor në Shqipëri. Po kështu, raporti i Reporterit të Posaçëm të OKB-së për Çështjet e Orientimit Seksual dhe Identitetit Gjinor, i publikuar në qershor 2025, thekson të njëjtën mangësi ligjore.

 

Sipas deklaratës, ligji për gjendjen civile, në formën aktuale, nuk përcakton procedura për ndryshimin e gjinisë dhe parashikon që ajo të verifikohet vetëm përmes raportit mjekësor në lindje. Deri më sot, asnjë person transgjinor nuk ka mundur të ndryshojë ligjërisht treguesin e gjinisë në dokumentet e identifikimit.

 

Organizatat shprehen se projektligji i propozuar nga Partia Demokratike është jo vetëm i pabazuar juridikisht, por edhe dezinformues për publikun, pasi shfrytëzon çështjet e ndjeshme të të drejtave themelore për përfitime politike.“Ky propozim nuk zgjidh asnjë problem real, por krijon një klimë urrejtjeje dhe frike ndaj një komuniteti që tashmë është i pambrojtur ligjërisht. Shqipëria, si vend që aspiron integrimin evropian, duhet të garantojë barazi dhe dinjitet për të gjithë qytetarët,” – nënvizohet në reagim.

 

 

 

Në deklaratë theksohet se shteti dhe politika duhet të përfaqësojnë të gjithë taksapaguesit shqiptarë, jo vetëm “shumicën”, duke punuar për harmonizim me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

 

Organizatat nënshkruese i bëjnë thirrje përfaqësuesve politikë të ndalen nga nismat antikushtetuese dhe diskriminuese, të heqin dorë nga gjuha e urrejtjes, dhe të ushtrojnë veprimtarinë politike në përputhje me standardet etike, profesionale dhe njerëzore, në respekt të çdo qytetari shqiptar.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu