
Policia e Shtetit ka finalizuar operacionin ndërkombëtar të koduar “Dërgesa”, për goditjen e trafikimit të armëve të zjarrit dhe municioneve luftarake, zhvilluar nga DVP Lezhë në bashkëpunim me Policinë Kriminale, DVP Shkodër, Guardi di Finanza italiane, në koordinim me Interpol Tiranën dhe Zyrën e Ekspertit të Sigurisë pranë Ambasadës Italiane në Shqipëri.
Në pranga ra F. M., 30 vjeç, nga Hoti i Malësisë së Madhe, me precedentë të rëndë kriminal dhe i dënuar më parë në Itali si kreu i një grupi kriminal për trafik droge. Ai akuzohet se ka dërguar 5 armë automatike tip kallashnikov, qindra fishekë dhe 4 krehra fishekësh drejt Italisë, kundrejt fitimit financiar.
Po ashtu u arrestuan edhe dy drejtues të një mikrobusi transporti udhëtarësh, E. M. dhe A. D., në bagazhet e të cilit, në kufirin Slloveni–Itali, u gjetën armët dhe municioni i fshehur në valixhe me sende të ndryshme.
Sipas hetimeve, F. M. siguronte armë e municione për palë të treta në BE duke përdorur linja transporti privat për t’i trafikuar. Operacioni po vijon në Shqipëri dhe Itali për identifikimin e pritësve të armëve dhe të personave të tjerë të përfshirë në rrjet.
Materialet procedurale i janë kaluar Prokurorisë së Lezhës për veprën penale “Trafikim i armëve dhe municioneve luftarake”.