
Autoritetet ligjzbatuese në qarkun e Lezhës kanë intensifikuar luftën kundër krimit ekonomik, duke sekuestruar vetëm gjatë dy muajve të fundit 29 pasuri me sipërfaqe totale rreth 132 322 m², të dyshuara si të përfituara nga veprimtari kriminale.
Në vijim të hetimeve të thelluara dhe operacioneve për gjurmimin e aseteve të paligjshme, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në DVP Lezhë, në bashkëpunim me Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, kanë ekzekutuar një tjetër vendim të GjKKO-së, i lënë në fuqi edhe nga Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
💠 Konfiskimi i radhës përfshin 9 pasuri të paluajtshme, mes të cilave:
- 7 sipërfaqe toke
- 2 apartamente
Këto prona ndodhen në Shëngjin, Ishull Shëngjin dhe Ishull Lezhë, me një sipërfaqe totale prej 33 815 m², dhe sipas hetimeve dyshohet se janë përfituar nga aktiviteti kriminal.
Operacionet për sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive të paligjshme vijojnë në të gjithë territorin, ndërsa autoritetet theksojnë se këto masa janë një goditje e drejtpërdrejtë ndaj aktiviteteve të krimit të organizuar dhe pastrimit të parave.




