
Policia e Lezhës, në bashkëpunim me Drejtoria Rajonale të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Shkodër–Lezhë, ka ekzekutuar masa sigurie ndaj 9 shtetasve, të cilët akuzohen për falsifikim dokumentesh, shpërdorim detyre dhe ndërtim të paligjshëm në zonën e Ranës së Hedhun, në Shëngjin.
Masat u ekzekutuan në zbatim të vendimit të Gjykatës së Lezhës, të datës 27 tetor 2025, pas hetimeve që kanë zbuluar një skemë të dyshuar abuzive me lejet e ndërtimit dhe legalizimet.
Sipas njoftimit zyrtar, masat e sigurisë janë si më poshtë:
- P. T., 67 vjeç, banues në Shënkoll – “Arrest në burg”, për “Ndërtim të paligjshëm” dhe “Falsifikim të vulave dhe stampave”;
- G. M., 34 vjeç, banues në Shëngjin, ish-drejtor i AShK Lezhë – “Arrest në shtëpi”, për “Shpërdorim detyre”;
- A. Sh., 37 vjeç, banues në Lezhë, ish-përgjegjës për legalizimet në AShK – “Arrest në shtëpi”, për “Shpërdorim detyre”;
- A. M., 35 vjeç, banues në Lezhë, ish-përgjegjës për legalizimet në AShK – “Arrest në shtëpi”, për “Shpërdorim detyre”;
- L. B., 65 vjeçe, banuese në Tiranë – “Arrest në shtëpi”, për “Falsifikim dokumentesh”;
- H. Xh., 65 vjeç, banues në Elbasan – “Arrest në shtëpi”, për “Falsifikim dokumentesh”;
- K. M., 66 vjeç, banues në Tiranë, ish-drejtor i Drejtorisë Rajonale të IKMT – “Ndalim për të dalë jashtë shtetit”, për “Shpërdorim detyre”;
- F. Gj., 41 vjeç, banues në Lezhë, ish-drejtor i Drejtorisë Rajonale të IKMT – “Ndalim për të dalë jashtë shtetit”, për “Shpërdorim detyre”;
- M. N., 50 vjeç, banues në Lezhë, me detyrë ndihmësspecialist i policimit në komunitet – “Ndalim për të dalë jashtë shtetit” dhe “Pezullim i ushtrimit të detyrës publike”, për “Shpërdorim detyre” dhe “Moskallëzim krimi”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Lezhës për veprime të mëtejshme hetimore.







