
Në vijim të veprimeve procedurale që po kryhen në drejtimin e Prokurorisë së Lezhës, në lidhje me plagosjen me armë zjarri, të shtetasit M. D., 26 vjeç, në momentin e ndërhyrjes së shërbimeve të Policisë, për kapjen e një shtetasi të shpallur në kërkim, sqarojmë se:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, pas veprimeve hetimore të kryera nën drejtimin e Prokurorisë, bënë ndalimin e autorit të dyshuar të plagosjes në këmbë, me armë zjarri (pistoletë), të shtetasit M. D.
U ndalua shtetasi Gj. B., 68 vjeç, i cili ishte shoqëruar më parë në Komisariat si person i dyshuar.
Nga veprimet hetimore dyshohet se 68-vjeçari (xhaxhai i shtetasit të arrestuar K. B.), gjatë një konflikti të çastit ka plagosur me armë zjarri në këmbë jashtë rrezikut për jetën shtetasin M. D.
Po në kuadër të veprimeve hetimore dhe procedurale për këtë rast, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin N. Gj., 22 vjeç, pasi dyshohet se ka qenë i shoqëruar me shtetasin M. D., në momentin e plagosjes, dhe nuk e ka kallëzuar krimin.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme.