
Në kulmin e debateve për mënyrën si po funksionon drejtësia në Shqipëri, Gjykata e Lartë ka nisur një proces për rishikimin e praktikës gjyqësore lidhur me masën e sigurisë “arrest në burg”.
Iniciativa është ndërmarrë përmes një vendimi të ndërmjetëm të kryetarit të Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, i cili ka dërguar për shqyrtim në Kolegjet e Bashkuara një çështje konkrete, me qëllim unifikimin ose rishikimin e praktikës gjyqësore për këtë masë sigurie.
Rasti që nxiti diskutimin
Sadushi analizon një rast të një personi të dyshuar për trafik droge, i cili fillimisht u la në arrest me burg nga Gjykata e Lezhës, ndërsa më pas Gjykata e Apelit e ndryshoi masën në arrest shtëpie.
Prokuroria ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë, duke kërkuar rikthimin e masës së arrestit me burg, me argumentin se gjykata e shkallës së dytë nuk ka analizuar si duhet kriteret për privimin nga liria.
Sipas Sadushit, çështja nuk ka rëndësi vetëm për rastin konkret, por hap një debat më të gjerë mbi nëse duhet të rishikohet vendimi unifikues nr. 7 i vitit 2011, që ka përcaktuar deri tani praktikën gjyqësore për këtë masë sigurie.
Referenca nga Gjykata Europiane
Në arsyetimin e tij, kryetari i Gjykatës së Lartë sjell në vëmendje edhe vendime të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, mes tyre edhe rastin e Thoma Gëllçit, ish-drejtor i RTSH-së, ku mbajtja e tij në paraburgim u konsiderua shkelje e të drejtave themelore.
Kushtet për arrest me burg
Sipas analizës së paraqitur në vendim, për të privuar një person nga liria duhet të ekzistojnë disa kushte themelore:
- dyshime të arsyeshme për kryerjen e një vepre penale
- rreziku i arratisjes
- mundësia për prishjen e provave ose intimidimin e dëshmitarëve
- rrezikshmëria e personit për shoqërinë
Dilema e re juridike
Kolegjet e Bashkuara do të duhet të japin përgjigje për një pyetje thelbësore:
A mund të përdoret vetëm rrezikshmëria e veprës penale apo e personit si argument për arrest me burg, pa një analizë konkrete të rrethanave të rastit?
Ky debat pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë edhe në çështje të tjera në vijim, pasi zyrtarë të lartë që po hetohen për korrupsion mund të kërkojnë lirimin nga paraburgimi, duke argumentuar se nuk paraqesin rrezik për drejtësinë.






