Pas deklarimit publik të ambicies për të kandiduar për Bashkinë e Tiranës, deputeti socialist Erion Braçe ka ndërmarrë një tjetër hap që shihet si përgatitje për garën në kryeqytet.

Sipas dokumenteve të depozituara në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Braçe ka kërkuar informacion të detajuar mbi numrin e votave që ka marrë në të gjitha zgjedhjet ku ka kandiduar si deputet, që nga viti 1996 e deri në mandatet e fundit.

Kërkesa është dorëzuar më 24 mars, ndërsa vetëm pak ditë më vonë, më 28 mars, ai shprehu hapur gatishmërinë për të kandiduar për Bashkinë e Tiranës gjatë një mbledhjeje në Njësinë 5.

Burime bëjnë me dije se kjo lëvizje shihet si një analizë e bazës së tij elektorale dhe një mënyrë për të matur mbështetjen reale në prag të një gare të mundshme për drejtimin e kryeqytetit.

Braçe, i cili së fundmi është zhvendosur politikisht nga Divjaka në Njësinë nr. 5 në Tiranë, arriti të sigurojë mbi 23 mijë vota në zgjedhjet e fundit, duke konsoliduar pozitat e tij në kryeqytet.

Megjithatë, gara për Tiranën mbetet e hapur, pasi kryeministri Edi Rama vijon të konsiderojë si kandidate potenciale ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

Deklaratat e Braçes për nevojën e një organizimi ndryshe dhe zgjidhjen e problemeve në Tiranë, së bashku me lëvizjet e fundit në KQZ, sinjalizojnë se gara për kryeqytetin mund të jetë më e fortë se sa pritej.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu