
Gjykata e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ka liruar nga masa arrest në shtëpi kryetarin e Bashkisë Tropojë, Rexh Byberin, si dhe nënkryetarin Abedin Kërrnaja, të cilët po hetohen për shpërdorim detyre dhe prerje të paligjshme të pyjeve.
Ndaj Byberit dhe Kërrnajës, togat e zeza vendosën masën e detyrimit për paraqitje një herë në muaj. Sipas avokatëve, ndaj kryetarit dhe nënkryetarit kishte mbaruar afati 6-mujor i masës së sigurisë, duke marrë si referencë vendimin e Gjykatës Kushtetuese ndaj Mimoza Margekës.
Në një seancë më parë, gjykata i la detyrë prokurorit të pyesë ekspertët, të cilët kanë përcaktuar dëmin e shkaktuar nga hapja e një rruge me Bashkinë Tropojë.
Sipas prokurorisë, rezulton se drejtuesi i Bashkisë gjatë procesit për hapjen e rrugëve me një gjatësi 3.2 km, e cila në pjesën dërrmuese kalon nëpër rrugën këmbësore ekzistuese, duhej të aplikonte në sistemin elektronik e-leje pranë Bashkisë Tropojë, si institucioni vendor që ka tagrin të shqyrtojë dhe miratojë lejen e ndërtimit të infrastrukturës, pasi të ketë verifikuar plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm tekniko-ligjor nga aplikuesi, siç parashikohet në legjislacionin për këto lloj punimesh.
Prokuroria thotë se “Bashkia Tropojë duhej të bashkëpunonte me institucionet e tjera kompetente për ndërtimin e rrugës si: Agjencia Kombëtare e Mjedisit për hartimin e Raportit të Vlerësimit për ndikimin në mjedis, si edhe me Ministrinë e linjës për impaktin e ndërtimit të rrugës së re dhe pasojat e këtyre punimeve të ndërtimit.”
Rexh Byberi dhe Abedin Kërrnaja, të cilët janë të dy në arrest shtëpie, akuzohen për shpërdorim të detyrës dhe prerje të paligjshme të pyjeve.
/vizionplus.tv