
Shqiptarët nuk e kanë falur dot një veprim që për disa ishte i pafajshëm, por për të tjerët përbënte “shkeljen më të madhe të nikoqirllëkut kombëtar”.
Në një video të publikuar në TikTok, shqiptaro-amerikania Era Kolli shihet duke larë qenin në lavamanin e kuzhinës, teksa tregon me krenari se “shqiptarët janë aq të pastër, sa edhe qenin e lajnë çdo javë”.
View this post on Instagram
“Moj çupë, në lavaman lan qenin apo enët?”, “Në atë lavaman nuk lahen duart, jo më qeni!”, “Në Evropë qenka kjo kulturë, se këtu do t’kish plasur nami”. Një përdoruese Tik Tok-u shkroi me humor: “Me siguri mami Mira nga Lushnja nuk e ka parë videon, se po ta shohë, plas sherri në shtëpi.”
(Kliko galerinë për të lexuar komentet e pastërtoreve shqiptare)
Në fakt, Era nuk ka përvojë me kafshët. Qeni Noah është i motrës së saj, e cila po zhvendoset në një shtëpi të re, dhe për disa ditë e kanë mbajtur e ëma dhe Era.
Vajza, e sinqertë dhe spontane, ndoshta nuk e ka kuptuar se sa “shenjtor” është lavapjata në një shtëpi shqiptare.
Por kjo mjaftoi që nikoqiret virtuale shqiptarë ta “gozhdojnë” në komentet e rrjeteve sociale, me një ashpërsi që ndoshta nuk e meritonte, sepse tek e fundit darkën nuk do ta hanin në shtëpinë e saj.
Në vend që të qeshin me gafën e pafajshme, që në fund të fundit ndodhi te lavapjata e saj dhe jo në shtëpinë e tyre, shumë gra duket se e morën personale dhe si një fyerje ndaj krenarisë së pastërtisë shqiptare, këtë akt të vajzës së lindur dhe rritur në SHBA nga prindër shqiptarë dhe tepër krenare për rrënjët e saj.
Mami Mira, gjithashtu personazh i njohur në Tik Tok nga videot e së bijës nuk e ka parë videon duke u realizuar, por e sigurt është që i është prishur terezia.
Ndërsa Era kuptoi mbi shpinën e saj se në vatrën çdo shqiptari, lavapjata nuk është thjesht vend për enë — është i “shenjtë” dhe simbol i nderit të shtëpisë.
….dhe për disa, duket se ofendimi ndaj lavamanit është më i rëndë se prekja në nder.










