
Kreu i “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka treguar detaje nga përplasja e ndodhur mbrëmjen e sotme mes protestuesve dhe forcave të policisë, pranë godinës së Kryeministrisë.
Sipas Lapajt, incidenti ka ardhur si pasojë e ndërhyrjes së policisë lidhur me një gjenerator energjie, i siguruar nga qytetarët për protestën që po zhvillohet 24 orë në 24, pa afat. Ai tha se organizatorët kanë njoftuar rregullisht institucionet për protestën, përmes shkresave zyrtare të dërguara prej 5–6 ditësh, si dhe me njoftime të përditshme.
Lapaj theksoi se protestuesit i janë drejtuar çdo ditë Bashkisë së Tiranës me kërkesë për lidhjen e energjisë elektrike, por sipas tij, prej gjashtë ditësh kjo kërkesë nuk është plotësuar. “E drejta për të protestuar është kushtetuese dhe nuk mund të interpretohet nga policia apo bashkia”, u shpreh ai.
Ai shtoi se sapo u ndez gjeneratori, në zonë mbërritën rreth 80 efektivë policie, të cilët kërkuan të sekuestronin pajisjen dhe logjistikën e protestës. “Ne nuk jemi qytetarë të dorës së dytë. Duhet të jemi të gjithë të barabartë para ligjit. Nuk i lejuam ta merrnin gjeneratorin dhe aty ndodhi përplasja”, deklaroi Lapaj.
Në vijim, Lapaj ka bërë edhe akuza politike ndaj kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se, sipas tij, pushteti synon të nënshtrojë kundërshtarët përmes presionit dhe interesave. Ai komentoi gjithashtu zgjedhjen e Avokatit të ri të Popullit, Endrit Shabani, duke thënë se nuk e njeh atë si përfaqësues të qytetarëve dhe se nuk e pret praninë e tij në protestë.
Protesta poshtë Kryeministrisë vijon, ndërsa autoritetet nuk kanë reaguar ende zyrtarisht lidhur me pretendimet e ngritura nga organizatorët.






