
Kreu i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka vijuar protestën e tij para Kryeministrisë, ndërsa sonte ka lëshuar akuza të ashpra ndaj ish-aleatit të tij politik, Endrit Shabanit. Në një deklaratë të drejtpërdrejtë për mbështetësit, Lapaj e cilësoi Shabanin “shërbëtor të Edi Ramës”, duke theksuar se Parlamenti po garanton sot “shpërblimin e tradhtarit të kauzës”.
“Për mua personalisht është një ditë krenarie e madhe. Pse? Sepse tërë këto muaj më është dashur të mbaj mbi supe tradhtinë e një njeriu 5 lekësh, që sot po dëshmohet në Parlament se ishte shërbëtor i Edi Ramës,” u shpreh Lapaj, duke akuzuar se Shabani ka qenë që në fillim i pozicionuar për të minuar kauzën e tij politikisht.
Lapaj e quajti zhvillimin e sotëm në Parlament “akt të turpshëm”, duke akuzuar mazhorancën se po siguron përfitime për një figurë që, sipas tij, ka kryer tradhti të qëllimshme ndaj lëvizjes së tij. Protesta e Lapajt para Kryeministrisë ka hyrë tashmë në disa ditë radhazi, me paralajmërime se do të vijojë deri në përmbushjen e kërkesave të tij kryesore politike.






