
Kreu i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka sqaruar gjatë tubimit para Kryeministrisë edhe simbolikën e veprimit të protestuesve, të cilët hodhën miell mbi efektivët e policisë, duke e cilësuar atë si një akt simbolik kundër regjimit të drogës, dhe jo një akt dhune.
Sipas Lapajt, mielli përfaqësonte “të bardhën e drogës”, simbol i një sistemi që, sipas tij, ka kapur shtetin dhe ka shndërruar Shqipërinë në narkoshtet.
“Ishte një simbolikë për regjimin e drogës së Edi Ramës, për të bardhën e drogës që ka mbuluar këtë vend”, u shpreh Lapaj, duke theksuar se protesta ishte paqësore dhe me mesazh politik, jo kundër individëve, por kundër një sistemi të korruptuar.
View this post on Instagram
Lapaj deklaroi gjithashtu se mbrëmjen e 4 janarit, pas arrestimit të disa prej protestuesve më aktivë, është tentuar edhe dhunimi i tij, duke shtuar se është dërguar në spital dhe më pas është përballur me presione për të ndërprerë protestën e përditshme.
Sipas tij, situata në Shqipëri nuk është më një çështje zgjedhjesh, por një detyrim qytetar për ndryshim rrënjësor.
“Ose do ta largojmë këtë klasë politike, ose do të largohemi të gjithë. Nuk ka më rrugë të mesme”, deklaroi Lapaj, duke bërë thirrje për bashkim qytetar përtej ndarjeve politike.
Ai theksoi se frika është ushqimi i autokratëve, ndërsa qytetarët janë në shesh për të treguar se nuk kanë më frikë. Lapaj solli edhe shembuj të kontrastit mes luksit qeveritar dhe varfërisë së qytetarëve.
“Ne përmbytemi në shtëpitë tona dhe ata nuk shpallin gjendjen e fatkeqësisë. Ne shkojmë në spitale dhe mungojnë ilaçet, ndërsa ata pijnë verë 33 mijë euro dhe blejnë çokollata 10 milionë euro”, u shpreh ai.
Lapaj shtoi se largimi masiv i të rinjve nga vendi dhe përkeqësimi i kushteve të jetesës janë pasojë direkte e kësaj klase politike, duke paralajmëruar se protestat do të vijojnë çdo ditë deri në realizimin e ndryshimit të kërkuar.






