Kryetari i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka nisur një protestë të pazakontë përballë Kryeministrisë, ku është ulur në një karrige duke deklaruar se do të qëndrojë ditë e natë, pa ndërprerje, deri në dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Lapaj akuzon kreun e qeverisë se po ushtron sulm dhe presion ndaj Gjykatës Kushtetuese dhe organeve të drejtësisë, në prag të vendimit të 12 dhjetorit për çështjen “Balluku”.

Sot kam ardhur këtu, pas 3 vitesh qëkur protestoja për çmimet. Sonte do të nis një protestë tjetër, përballë Edi Ramës i cili duhet të dorëhiqet pasi ka nisur ndaj drejtësisë dhe në datë 12 Kushtetuesja duhet të shprehet”, u shpreh ai.

Lapaj tha se zgjedhja për ta nisur protestën më 8 dhjetor lidhet edhe me simbolikën e kësaj date, që kujton lëvizjen studentore të vitit 1990 dhe rrëzimin e komunizmit. Ai kritikoi mungesën e reagimit qytetar ndaj zhvillimeve të fundit në vend.

Sot është 8 dhjetori, dita kur nisi lëvizja studentore që rrëzoi komunizmin dhe kam pritur gjithë ditën të ketë reagime, protestë, inat në gjithçka po ndodh. Por në fakt nuk ka ndodhur asgjë nga këto”, tha Lapaj.

Kreu i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet” theksoi se protesta e tij nis si një akt simbolik, por me synimin që të kthehet në një lëvizje masive qytetare.

Unë sot duhet të nis një protestë këtu, si qytetar, është simbolikë kjo nisje i vetëm dhe do të jem këtu, ditë e natë pa ndalim, jo duke ikur në shtëpi duke ngrënë dreka e darka. Dhe uroj që këtu të ketë qindra e mijëra qytetarë në ditët në vazhdim. Fundja ky është fati im, të jem një protestues i përjetshëm”, shtoi ai.

Pas 12 orësh qëndrim, thirrje qytetarëve: “Ju pres çdo ditë te Kryeministria në orën 17:00”

Mëngjesin e së martës, pas rreth 12 orësh qëndrim të pandërprerë para Kryeministrisë, Lapaj ka vijuar protestën dhe në një komunikim “live” ka ftuar qytetarët që t’i bashkohen çdo ditë në orën 17:00.

Ai theksoi se protesta nuk është partiake, por qytetare, dhe ka për synim, sipas tij, mbrojtjen e drejtësisë nga ndërhyrjet politike dhe vendosjen e përgjegjësisë politike mbi kryeministrin.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu