Me nderimet mëdha dhe pjesëmarrje në ceremoninë e fundit iu dha sot lamtumira shkrimtarit të madh, Ismail Kadare. Gjeniu i letrave shqipe u varros në Varrezat e Tufinës në Tiranë në një ceremoni private të kërkuar nga familja.
“Jemi shumë të prekur nga gjithë kjo dashuri. Ai është ngritur në panteonin e gjenive të botës. Një nga mënyrat për t’i bërë homazhe, është t’i lexojmë përsëri veprat e tij”, tha vajza e shkrimtarit, Besiana Kadare.
Kadare vdiq më 1 korrik, në moshën 88-vjeçare, si pasojë e një arresti kardio-respirator.
Paraditen e së mërkurës, arkivoli me trupin e tij u vendos në hollin e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë, në një sallë me imazhin e Nënë Terezës, shenjtores shqiptare rastësisht atje si pjesë e një skenografie.
Qytetarë të shumtë nga vende të ndryshme bënë homazhe, përfshi krerët më të lartë të Kosovës dhe shqiptarë të Maqedonisë së veriut.
“Shkrimtari “i përket gjithë botës” tha kryeministri Rama gjatë fjalës së tij në ceremoninë që u zhvillua më herët në TKOB.
“Kadare jetoi si dëshmitar i një fjale për të cilën mori tërë lëvdatat dhe nderimet e mundshme të botës dhe tërë smirën dhe sharjet e mundshme të vendit që e lindi. Nuk e mori Çmimin Nobel, por mbeti i vetmi kandidat për të cilin ka një dosje letrash anonime nga bashkatdhetarët e tij. Ai erdhi, shkroi dhe iku. Ne i kemi vetëm një detyrim: t’ia respektojmë ikjen”, tha Rama.
Shqipëria ishte në zi kombëtare dje dhe sot, ndërsa Kosova sot. Por të pafund kanë qenë ngushëllimet për një njeri të penës që nuk dihet kur i lind sërish Shqipërisë.
Lamtumirë!