Ozzy Osbourne, ikona e muzikës heavy metal, u përcoll për në banesën e fundit në Birmingham mes mijëra fansave dhe një atmosfere emocionale. Procesioni kaloi pranë shtëpisë së tij të fëmijërisë dhe ndaloi në urën “Black Sabbath Bridge”, simbol i trashëgimisë së tij muzikore. Familja, e prekur thellësisht, mori pjesë në homazhe me trëndafila në ngjyrat e grupit legjendar. Qyteti e nderoi si një bir të dashur dhe një figurë që e vendosi Birminghamin në hartën botërore të muzikës.

Ozzy Osbourne, legjenda e muzikës heavy metal dhe një prej figurave më të dashura të qytetit të Birminghamit, është përshëndetur për herë të fundit nga qyteti i tij i lindjes, mes mijëra fansave të mbledhur për t’i dhënë lamtumirën. Procesioni i varrimit u ndal në “Black Sabbath Bridge”, një vend që është kthyer në një simbol nderimi për artistin që ndërroi jetë javën e kaluar në moshën 76-vjeçare.

“Ne të duam, Ozzy!”, ishte brohorima që jehonte nga turma ndërsa kortezhi ndaloi në urën që mban emrin e grupit legjendar ku ai shkëlqeu për dekada. Familjarët e tij bashkëshortja Sharon Osbourne dhe fëmijët Jack, Kelly dhe Aimee qëndruan për disa minuta pranë luleve, mesazheve dhe homazheve të shumta që fansat kishin lënë për të.


Sharon, e mbështetur nga fëmijët, shpërtheu në lot përballë dashurisë së turmës, duke u përshëndetur me një shenjë paqeje përpara se të rikthehej në automjetin e procesionit. Çdo anëtar i familjes mbante nga një trëndafil rozë të mbështjellë me letër të zezë dhe me fjongo të purpurt ngjyrat tradicionale të grupit Black Sabbath. Edhe lulet në arkivol ishin po ashtu ngjyrë vjollcë.

Përpara se të mbërrinte në qendër të qytetit, kortezhi kaloi pranë shtëpisë së fëmijërisë së Ozzy-t në lagjen Aston. Vetëm disa javë më parë, ai ishte ngjitur në skenë për herë të fundit në Villa Park, ku performoi përkrah artistëve të mëdhenj që e kishin marrë frymëzim prej tij, si Metallica, Guns N’ Roses dhe Yungblud.

Atmosfera në Birmingham ishte e mbushur me emocion dhe mall. Muzika e Ozzy-t dëgjohej nëpër lokale, ndërsa qyteti ishte mbushur me postera e pankarta që e përkujtonin: “Birmingham gjithmonë do të të dojë”.

Për shumë fansa, ky nuk ishte vetëm një përshëndetje e fundit, por një “faleminderit” për artistin që kurrë nuk e harroi origjinën e tij. Nga një fillim i thjeshtë në Aston, deri te fama botërore, Ozzy mbeti gjithmonë krenar për qytetin e tij.

Graham Wright, teknik skene që ka punuar me Black Sabbath që nga vitet ’70 e deri në koncertin e ribashkimit “Back To The Beginning” në Villa Park, tha për Sky News se nuk do ta mbajë mend Ozzy-n si “Princin e Errësirës”, por si “Princin e të Qeshurës”.

“Ishte një tronditje që na la kaq shpejt pas atij koncerti,” tha ai. “Ishte e rëndësishme për të të përshëndeste fansat, edhe pse ishte e vështirë fizikisht për të. Lotët sot janë të pashmangshëm do na mungojë shumë.”

Chris Mason, menaxheri i pub-it “The Brasshouse” pranë urës “Black Sabbath”, tha se muzika e grupit dhe karriera solo e Ozzy-t janë luajtur pa pushim që prej lajmit të ndarjes së tij nga jeta.

“Nëse nuk do të ishte për Ozzy-n dhe Black Sabbath, nuk do të kishim muzikën heavy metal. Ai ishte zoti Birmingham”, tha Mason.

Mohabbat Ali, një fqinj i dikurshëm i familjes Osbourne në Aston, e kujtoi Ozzy-n si “djalë i zhurmshëm, por i dashur”. “Luante kitarë me zë shumë të lartë natën, por nëna ime gjithmonë thoshte se ishte një djalë i mirë”, u shpreh ai.

Edhe kryetari i Bashkisë së Birminghamit, këshilltari Zafar Iqbal, ishte i pranishëm në ceremoninë përkujtimore. Ai tha se ishte një nder i madh që qyteti e kishte mes tyre për herë të fundit.

“Dashuria për Ozzy-n ndihet në ajër,” tha Iqbal. “Ai e vendosi Astonin dhe Birminghamin në hartën botërore.”

Kryetari i bashkisë tregoi se kishte marrë një letër personale nga Ozzy, pasi ky i fundit kishte lexuar në biografinë e tij online se Iqbal kishte vuajtur nga disleksia një përvojë e përbashkët mes tyre. “E kam letrën të kornizuar në zyrë. Ishte një njeri i thjeshtë, tokësor. Nuk e tregohej si yll rok, por ishte një legjendë e vërtetë, që nuk i harroi kurrë rrënjët.”/tvklan

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu