
Gazetarja investigative Klodiana Lala ka zbuluar detaje të reja mbi dosjen Bankers, e cila tashmë është marrë zyrtarisht nën hetim nga SPAK, pas shpalljes së moskompetencës nga Prokuroria e Fierit.
Sipas Lalës, Prokuroria e Fierit ka vendosur ta dërgojë çështjen në SPAK pasi ka konstatuar elementë që implikojnë zyrtarë të lartë shtetërorë deri në nivel ministrash, si dhe dyshime të forta se veprimet janë kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal. Prokuroria e Posaçme e ka pranuar dosjen dhe ka regjistruar një sërë veprash penale të rënda, përfshirë skema mashtruese me TVSH-në, fshehje të ardhurash, pastrim parash, shpërdorim detyre, korrupsion pasiv dhe veprimtari kriminale të organizuar.
Në fokus të hetimeve, sipas Lalës, janë dy ish-zyrtarë të lartë. Njëri prej tyre është ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj por i cili ndodhet në arrati.
Zyrtarja tjetër e lartë që përmendet në këtë dosje është ish-ministrja e Financave Anila Denaj. Sipas Klodiana Lalës, SPAK po heton mosveprimet e Denajt në lidhje me një gjobë në vlerën 120 milionë euro, e vendosur ndaj Bankers, dhe rolin e saj institucional në raport me këtë aferë. Aktualisht, as Ahmetaj dhe as Denaj nuk janë të regjistruar si persona nën hetim, por roli i tyre po analizohet në mënyrë të detajuar nga organet e drejtësisë.
Hetimet shtrihen edhe në aktivitetin financiar të Bankers jashtë Shqipërisë. Sipas të dhënave të bëra publike, po hetohet një bankë e nivelit të dytë në Austri, përmes së cilës dyshohet se janë kryer pagesa preferenciale drejt personave të caktuar. SPAK ka dërguar letërporosi për të siguruar të gjitha transaksionet, me synimin për të identifikuar nëse përfituesit janë funksionarë publikë, zyrtarë të lartë apo kompani të lidhura.
Gazetarja Lala theksoi gjithashtu se një nga skandalet më të rënda lidhet me transfertat drejt kompanive offshore, ku vetëm në një transaksion dyshohet se janë transferuar 110 milionë euro drejt Hong Kongut, Irlandës dhe juridiksioneve të tjera, pa u sinjalizuar nga institucionet shqiptare të kontrollit financiar.
Sipas Prokurorisë, mënyra e funksionimit të kësaj skeme ka qenë e vazhdueshme, e organizuar dhe e shtrirë në kohë, me të njëjtët persona dhe kompani, çka forcon dyshimet se bëhet fjalë për një grup të strukturuar kriminal, një element kyç që e ka kaluar çështjen në juridiksionin e SPAK.

Denaj në fokus të dyshimeve për aferën Bankers: akuza për heqjen e gjobës 84 mln euro.
Sipas një shkrimi investigativ të publikuar më herët nga Pamfleti, pretendohet se falja e kësaj gjobe ka qenë rezultat i një pazari financiar mes përfaqësuesve të kompanisë dhe kupolës së qeverisë së kohës.
Sipas të dhënave të publikuara, më 31 maj 2019, Dogana i vendosi kompanisë Bankers Petroleum një gjobë prej 84 milionë eurosh për shkelje të rënda doganore, që lidhen me mashtrim të sasive, eksport prodhimi dhe import lëndësh të para. Bankers, sipas raportimeve, nuk kishte paguar akcizë për rreth 15.900 ton hollues nafte, ndërsa në magazinën fiskale rezultonin 83.700 ton pa pagesa doganore. Detyrimi fillestar fiskal llogaritej rreth 27 milionë euro, por pas refuzimit për ta paguar, u aplikua gjoba e plotë.
Vetëm dy muaj më vonë, më 17 korrik 2019, kjo gjobë u pezullua dhe më pas u fshi, me urdhër të ish-ministres së Financave Anila Denaj. Në dokumentacionin zyrtar, motivi i dhënë ishte se shuma ishte shumë e lartë dhe se Ministria e Financave nuk kishte kapacitete të mjaftueshme për ta ndjekur çështjen në rrugë gjyqësore.
Por akuzat shkojnë shumë më tej. Sipas Pamfletit, paralelisht me pezullimin e gjobës, Bankers është lejuar të transferojë jashtë Shqipërisë rreth 270 milionë euro, duke lënë bosh llogaritë bankare në vend. Po sipas këtij burimi, ekziston një regjistrim audio i muajit qershor 2019, që pretendohet se është dorëzuar nga SHISH në SPAK, BKH dhe përfaqësues të FBI-së, ku flitet për një ryshfet prej 15 milionë eurosh.
Në këtë regjistrim, sipas pretendimeve, përfaqësues të Bankers flasin për pagesën e ryshfetit ndaj Anila Denajt për faljen e gjobës 84 milionë euro, ndërsa ish-ministrja citohet të ketë thënë se këtë pazar e ka kërkuar “i gjati” dhe se paratë do t’ia çonte atij. Këto mbeten akuza të publikuara në media, të cilat deri më tani nuk janë konfirmuar nga organet e drejtësisë.
Pas raportit të KLSH-së dhe shpërthimit të skandalit, Doganat bënë rekurs në Gjykatën e Lartë, e cila më 21 mars 2022 rrëzoi vendimet e dy shkallëve të mëparshme dhe urdhëroi Bankers të paguante gjobën 84 milionë euro plus penalitetet, që sipas përllogaritjeve shkojnë pranë 100 milionë eurove.






