TIRANË – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur të vijojë procesin e numërimit të votave të mbërritura nga Greqia, pas një ndërprerjeje të përkohshme që erdhi për shkak të pretendimeve dhe paqartësive të ngritura nga opozita.

Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, sqaroi në një deklaratë për mediat se është shqyrtuar i gjithë dokumentacioni i lidhur me këto kuti votimi dhe nuk është konstatuar asnjë parregullsi që të çonte në pezullim apo anullim të votave.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shqyrtuar të gjithë dokumentacionin e mbërritur për këto zarfa dhe konstatojmë se nuk ka parashikime të veçanta për vlerësimin e votuesve nga jashtë. Siç procedohet me votat brenda vendit, njësoj procedohet edhe me ato nga jashtë. Në kuadrin e kompetencave që kanë, grupet e numërimit vlerësojnë fletët e votimit, pa ndërmarrë veprime të tjera shtesë, siç pretendohet nga disa palë vëzhguese,” u shpreh Celibashi.

Ai theksoi se çdo votë që ndodhet në kuti do të numërohet dhe do të vlerësohet sipas ligjit zgjedhor. “Asnjë prej kutive të votimit nuk është vlerësuar si e parregullt. Është detyrim ligjor që çdo zarf dhe çdo votë të numërohet. Grupi i numërimit ka të drejtë të kontestojë apo të shënojë parregullsi në protokoll, por nuk ka kompetencë për të shqyrtuar pretendimet që lidhen me procesin zgjedhor në tërësi,” shtoi Celibashi.

Ai nënvizoi se vendimi për të vijuar dhe për të përmbyllur procesin e numërimit, si dhe për të bërë tabelimin përfundimtar të rezultatit për subjektet përkatëse, është marrë në përputhje të plotë me kompetencat ligjore të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve.

Procesi i numërimit të votave të diasporës, veçanërisht ato të ardhura nga Greqia, ka qenë një nga elementët më të ndjeshëm të zgjedhjeve parlamentare të 2025-ës, duke u shoqëruar me vëmendje të lartë publike dhe politike. Me këtë vendim, KQZ i jep një drejtim të qartë procesit, duke riafirmuar angazhimin për transparencë dhe zbatim të ligjit në çdo hap të numërimit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu