Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka regjistruar emrin e zëvendës-kryeministres Belinda Balluku si person nën hetim për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera.

SPAK, për News24, ka deklaruar se:

“Prokuroria e Posaçme nuk ka asgjë për të ndarë me median.”

Numri dy i qeverisë “Rama 4” është thirrur të paraqitet në SPAK të hënën, bazuar në një shkrese që mban firmën e prokurorit të posaçëm Dritan Prençi. Burime të besueshme bëjnë me dije se fletëthirrja i është dorëzuar në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë. Në fletëthirrje i bëhet me dije se duhet të jetë e shoqëruar nga një avokat, çka në raste të tilla nënkupton mundësinë e komunikuarjes së një akuze penale.

SPAK është i rezervuar për detaje lidhur me hetimin ndaj Ballukut, pasi ndaj saj ka disa kallëzime penale, përfshirë edhe atë për tunelin e Llogarasë, ku vlera e tenderit të fituar nga një kompani turke u rrit me mbi 50 milionë euro.

Aktualisht nuk dihet nëse Balluku do t’i përgjigjet fletëthirrjes së SPAK, dhe mbetet e paqartë nëse do të vazhdojë detyrat qeveritare apo do të zgjedhë të dorëhiqet për të zhvilluar betejën e saj juridike pa mburojën e Partisë Socialiste.

Sipas informacionit zyrtar, kontrolle janë kryer në banesat e dy zonjave, bashkëpunëtore të ngushta të Ballukut, si dhe në një zyrë. Njëra prej këtyre bashkëpunëtoreve nuk është më në detyrë.

Nga informacionet e deritanishme, çështja ka lidhje edhe me ish-kreun e ARRSH, Evis Berberi, i cili ndodhet nën akuzë për korrupsion, shkelje të barazisë në tendera dhe pasuri të pajustifikuar. Përveç tij, disa çështje të tjera lidhen me kryebashkiakun e Shkodrës, Benet Beci, dhe zyrtarë të lartë në OSHEE dhe KESH, si Gentian Gjyli.

Aktualisht nuk është bërë e qartë se për çfarë po hetohet konkretisht Balluku, por statusi i saj është ai i personit nën hetim. Fakti që ajo është ftuar në SPAK të hënën dhe e shoqëruar nga avokati nënkupton se mund t’i komunikohet një akuzë penale, me gjasë për shkelje të barazisë në tendera, kryer në bashkëpunim.

Belinda Balluku mban detyrën e Zëvendës-Kryeministres që prej korrikut 2022 dhe të Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë që prej janarit 2019. Ajo ka qenë drejtuese politike e qarkut Fier, ku në zgjedhjet e 11 majit fitoi 12 mandate.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu