ROMË- Universiteti “La Sapienza” në Romë ka nderuar studenten shqiptare, Ilaria Sula, e cila u vra pak javë më parë nga i dashuri i saj.

Ajo studionte për shkenca statistikore në këtë universitet dhe ngjarja tragjike preku zemrat e shqiptarëve dhe italianëve.

Për të nderuar të ndjerën Ilaria Sulën, Universiteti “La Sapienza” mori vendimin që salla më e madhe e tij të mbajë emrin e 23-vjeçares shqiptare.

“Hapësirat e reja të studimit brenda Godinës së Teatrit të Ri Universitar i janë kushtuar Ilaria Sulës. Me rastin e 722-vjetorit të themelimit të Studium Urbis, sot janë inauguruar tre hapësira të reja me gjithsej 260 vende të reja studimi për komunitetin studentor: Biblioteka e re e bashkuar e Jurisprudencës, Salla Montessori në Godinën e Mineralogjisë dhe Hapësirat e studimit Ilaria Sula, në të cilat një pllakë përkujtimore kujton: ‘Ilaria, studente e Sapienza-s, për të mos harruar të gjitha gratë viktima të feminicidit, të cilave u është ndërprerë mundësia për të shkruar të ardhmen e tyre’”, shkruhej në postimin e universitetit.

Mediat italiane shkruajnë se në këtë ceremoni ishin të pranishëm prindërit dhe vëllai i 23-vjeçares. Babai Flamur Sula vlerësoi nderimin e bërë për vajzën e tij të ndjerë, ndërsa u shpreh se “Sot Ilaria rilindi”.

Studentja shqiptare u zhduk më 25 mars dhe u gjet pas disa ditësh kërkime. Ajo dyshohet se u vra nga ish-i dashuri i saj filipinas Mark Antony Samson.

Sipas hetimeve, Samson e goditi tre herë me thikë në banesën e tij dhe më pas trupin e 23-vjeçares e futi në një valixhe dhe e hodhi në një zonë pyjore jashtë Romës.

Hetimet e autoriteteve italiane vijojnë ndërsa ka dyshime se autori të jetë ndihmuar nga perona të tjerë, përfshirë dhe prindërit./abcnews.al

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu