
Detaje tronditëse po dalin në dritë nga masakra që tronditi Austrinë më 11 qershor, ku një 21-vjeçar vrau 10 persona në një shkollë në Graz dhe më pas kreu vetëvrasje. Sot, autoritetet austriake kanë publikuar identitetin dhe foton e autorit, i cili identifikohet si Arthur A., banues në Kalsdorf, një periferi pranë Gracit.
Ai jetonte me nënën e tij beqare, ndërsa babai i tij është me origjinë armene. Policia ka konfirmuar se në banesën e tij u gjet një shënim vetëvrasjeje dhe një bombë artizanale e papërdorshme.
Pak minuta para sulmit, Arthur i dërgoi nënës së tij një video prekëse përmes telefonit, ku i kërkonte ndjesë për atë që do të ndodhte dhe e falënderonte për kujdesin e treguar ndër vite. Në fund të videos, ai i kërkon nënës të kujdeset për macen e tij – një detaj që ka prekur fort opinionin publik.
Nëna e pa videon vetëm 24 minuta pasi e kishte marrë, kur gjithçka kishte përfunduar dhe Arthur ishte tashmë i vdekur.
Në shënimin vetëvrasës, ai fajësonte shkollën për ngacmimet që thoshte se kishte përjetuar më herët dhe justifikonte aktin e rëndë me ndjenjën e hakmarrjes. Krahas kësaj, ai shprehte shqetësimin për kafshën e tij të shtëpisë, duke e theksuar edhe një herë në mënyrë të dhimbshme brishtësinë e tij emocionale.
Në nderim të viktimave, në të gjithë Austrinë u mbajt një minutë heshtje në orën 10:00 të mëngjesit të së mërkurës. Kambanat e kishave ranë në shenjë zie, përfshirë edhe kambanën funerale të Katedrales së Shën Stefanit në Vjenë. Transporti publik u ndal për një minutë, ndërsa ORF ndërpreu transmetimet në të gjitha kanalet radio-televizive.