Kryetarja e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Ina Zhupa, në një deklaratë për mediet, shprehu shqetësim për cenimin e lirisë së medias në Shqipëri, duke e lidhur këtë problem me gjetjet e fundit të progresraportit të BE-së për Shqipërinë.

Sipas Zhupës, raporti nënvizon qëndrimet kërcënuese ndaj gazetarëve, si dhe përpjekjet e mazhorancës për të mos miratuar ligje që do të siguronin më shumë mbrojtje dhe liri për ta.

yacht hotel sarande

“E kam ndjekur me shqetësim raportin e BE-së, pasi një nga pjesët më të zeza ishte pjesa e lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias. Ajo që vinte në dukje BE është një sjellje intimiduese ndaj gazetarëve, vullnet i mazhorancës për të mos kaluar asnjë ligj që rrisnin sigurinë dhe garancinë për gazetarët dhe është vullnet për ta mbajtur si një flluskë të mbyllur aktivitetin qeveritar. Liria e medias jo vetëm varet shumë nga qeveria dhe nga Kuvendi, por edhe nga gjuha në të cilën ne politikanët i drejtohemi gazetarëve apo tentojmë të intimidojmë gazetarët”- tha Zhupa.

Deputetja e PD-së, theksoi se liria e shprehjes dhe e medias janë thelbësore për transparencën dhe llogaridhënien, dhe se sjellja intimiduese ndaj gazetarëve jo vetëm dëmton sigurinë e tyre, por cenon edhe interesin publik.

Zhupa kërkoi që Kuvendi i Shqipërisë ta lexojë dhe ta kuptojë raportin e BE-së dhe të ndërmarrë hapa konkretë për përmirësimin e kuadrit ligjor për mbrojtjen e lirisë së medias.

“Për mua është e rëndësishme që ky raport të lexohet qartësisht nga Kuvendi i Shqipërisë, të lexohet qartësisht nga ky komision dhe të merren hapat e duhur të paktën për adresimin e kuadrit legjislativ në mënyrë që të avancojmë në axhendën që na ka vendosur BE”, vijoi ajo.

“Ne kemi hapur edhe grup-kapitullin e parë të negociatave dhe një nga çështjet kryesore është se kur cenohet liria e medias, nuk është cenuar vetëm siguria dhe liria e disa gazetarëve, por është cenuar edhe interesi publik, arsyeja pse ju intimidoheni është se keni bërë pyetje të papërshtatshme, që nuk i pëlqejnë t’i kthejnë përgjigjet, keni kërkuar një informacion që zhvesh propagandën qeveritare, është një tregues që ka më pak transparencë ka më pak llogaridhënie, ka më pak mundësi që njerëzit të marrin vesh të vërtetën.”- tha Zhupa, kryetare e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik./oranews

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu