
Seanca plenare e 6 nëntorit 2025 u zhvillua në një atmosferë të tensionuar politike, por me një vendimmarrje që u cilësua si historike nga mazhoranca. Pas më shumë se 12 orësh diskutimesh, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin “Për Barazinë Gjinore” me 77 vota pro, ndërsa 36 deputetë të opozitës votuan kundër.
Ligji, i cili përafron legjislacionin shqiptar me 10 direktiva të Bashkimit Europian, synon garantimin e barazisë reale midis burrave dhe grave në paga, përfaqësim, qeverisje dhe sektorë të tjerë shoqërorë. Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu, e cilësoi nismën si “një akt europian dhe jo ideologjik”, duke theksuar se:
“Ky ligj është në zemër të së drejtës europiane. Flet për barazinë burrë-grua, për mbrojtjen nga diskriminimi dhe për dinjitetin e çdo qytetari shqiptar.”
View this post on Instagram
Opozita, në krye me Sali Berishën, kundërshtoi ashpër, duke e quajtur ligjin “një rrezik për vlerat tradicionale të familjes shqiptare”. Retorika e përdorur ndaj ambasadorit të Bashkimit Europian Silvio Gonzato u konsiderua e papranueshme nga mazhoranca, e cila kërkoi përjashtimin e Berishës për 30 ditë nga veprimtaria parlamentare.
Kryetari i grupit të PS-së, Taulant Balla, kërkoi ndërprerjen e debatit dhe kalimin menjëherë në votim, duke deklaruar:
“Nuk do të tolerojmë shkeljen e dinjitetit institucional të Kuvendit. Ligji për barazinë gjinore është për shqiptarët, jo për ideologjitë e importuara.”
Ndërkohë, me të njëjtën shumicë votash, mazhoranca rrëzoi kërkesën e Partisë Demokratike për ngritjen e një komisioni hetimor për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj. 77 deputetë socialistë votuan kundër nismës, ndërsa 32 deputetë të opozitës ishin pro.
Në të njëjtën seancë u miratuan edhe raportet vjetore të disa institucioneve të pavarura, përfshirë KLSH, Komisionin e Prokurimit Publik, Departamentin e Administratës Publike dhe Autoritetin për Informim mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit.
Seanca u mbyll pas orës 22:00, pas një dite të gjatë ku përplasjet politike, debatet për vlera, ligje dhe etikë parlamentare u ndërthurën me një proces ligjvënës që mazhoranca e cilësoi “thelbësor për rrugën europiane të Shqipërisë”.






