
Tiranë, 22 janar 2026 – Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar këtë të enjte aderimin e vendit në Bordin e Paqes, duke caktuar si përfaqësues zyrtar të Shqipërisë kryeministrin Edi Rama.
Projektvendimi u miratua në parim me 113 vota pro dhe 1 abstenim, ndërsa nuk pati vota kundër. Kryeministri Rama nuk ishte i pranishëm në sallë gjatë votimit. Deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, ishte i vetmi që abstenoi.
Më herët, Partia Socialiste, në Komisionin për Politikën e Jashtme, rrëzoi amendamentet e propozuara nga Partia Demokratike, të cilat synonin heqjen e emrit të kryeministrit nga projektligji dhe parashikonin që Shqipëria të përfaqësohej nga Presidenti i Republikës, ose nga kryeministri me autorizim presidencial.
Në përfundim të shqyrtimit parlamentar, u miratua versioni i propozuar nga qeveria, duke i hapur rrugë zyrtarizimit të përfaqësimit të Shqipërisë në Bordin e Paqes me kryeministrin Edi Rama si anëtar.
Vendimi vjen në një kontekst debatesh politike brenda vendit, por edhe në një moment të rëndësishëm ndërkombëtar, ku nisma për Bordin e Paqes është shoqëruar me diskutime mbi rolin e SHBA-ve, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe arkitekturën globale të sigurisë.






