
Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të procedojë me votimin e ndryshimeve kushtetuese të propozuara nga presidentja Vjosa Osmani, të cilat synojnë që presidenti i vendit të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli dhe jo nga deputetët.
Në seancën parlamentare ishin të pranishëm 93 deputetë nga gjithsej 120, përfshirë 9 deputetë nga komunitetet joshumicë. Për miratimin e amendamenteve kushtetuese kërkohen votat e dy të tretave të të gjithë deputetëve, si dhe dy të tretat e deputetëve të komuniteteve joshumicë.
Në seancë munguan deputetët e Listës Serbe, e cila ka nëntë vende në Kuvend.
Për këtë arsye, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, nuk i hodhi fare në votim amendamentet dhe njoftoi se do të thirret një seancë e jashtëzakonshme, e cila pritet të nisë në orën 22:00.
Ende nuk është e qartë nëse në seancën e re do të ketë numrin e nevojshëm të deputetëve për të proceduar me votimin e ndryshimeve kushtetuese.



