
Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, deputetët nuk arritën të miratojnë qeverinë e re të propozuar nga mandatar Albin Kurti. Nga 110 deputetë të pranishëm, 56 votuan “për”, 52 “kundër” dhe 4 abstenuan.
Kryeparlamentari Dimal Basha shpalli rezultatin, duke theksuar se tashmë përgjegjësia për hapat e mëtejshëm i kalon presidentes Vjosa Osmani, e cila, sipas Kushtetutës, ka 10 ditë kohë për të zhvilluar konsultime me partitë politike dhe për të caktuar mandatarin e ri.
Kurti: “Pa qeveri të re, vendi rrezikon zgjedhje të parakohshme”
Në fjalën e tij para votimit, Albin Kurti theksoi se vonesa më shumë se gjashtëmujore në konstituimin e institucioneve ka dëmtuar proceset shtetërore dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Ai pranoi se asnjë parti nuk ka pranuar të hyjë në koalicion me Vetëvendosjen, por u bëri thirrje deputetëve që të votojnë “për” qeverinë për të shmangur zgjedhjet e reja.
“Ky votim sot nuk është thjesht formalitet politik, por përgjegjësi shtetërore. Pa qeveri të re, Republika rrezikon të shkojë në zgjedhje të reja, pa buxhet të miratuar, me pasoja për pagat, pensionet dhe shërbimet publike,” tha Kurti.
Kreu i Vetëvendosjes prezantoi disa nga prioritetet e qeverisë së propozuar, përfshirë:
- miratimin e projektbuxhetit 2026,
- vendosjen e pensionit minimal prej 150 euro për 200 mijë pensionistë,
- rritjen e shtesave për fëmijët me 50%,
- pagën minimale prej 500 euro,
- dhe heqjen e kufizimeve të punësimit për veteranët.
Ai kujtoi se gjatë mandatit të tij të kaluar Kosova ka pasur rritjen më të lartë ekonomike në rajon dhe liberalizimin e vizave me BE-në.
Partitë opozitare: “Sot bie perdja e mashtrimit tetëmujor”
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, deklaroi se “sot bie perdja e mashtrimit tetëmujor”, duke theksuar se Kurti nuk ka shumicën parlamentare. Edhe PDK dhe Nisma Socialdemokrate konfirmuan qëndrimin kundër qeverisë së propozuar, duke përjashtuar çdo mundësi koalicioni me Vetëvendosjen.
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, paralajmëroi se në rast dështimi “zgjidhja e vetme mbeten zgjedhjet e reja”.
View this post on Instagram
Analistët: “Qeveria e re nuk mund të formohet menjëherë”
Sipas analistëve politikë, Fatime Hajdari dhe Melazim Koci, mungesa e një marrëveshjeje koalicioni e bënte pothuajse të pamundur formimin e qeverisë sot, duke parashikuar nisjen e bisedimeve të reja ndërmjet partive.
Çfarë ndodh tani?
Nëse brenda 10 ditëve nuk arrihet formimi i shumicës së re, presidentja Osmani pritet të caktojë një mandatar tjetër. Në rast se dështon edhe tentativa e dytë, Kushtetuta e detyron që të shpallë zgjedhje të reja parlamentare brenda 40 ditësh.
Situata politike në Kosovë mbetet e paqartë, ndërsa vendi rrezikon të futet në një tjetër cikël zgjedhor, në mungesë të konsensusit mes partive për krijimin e qeverisë “Kurti 3”.







